Botë

Franca fajëson trafikantët për tragjedinë në kanalin anglez

Franca ka fajësuar trafikantët për vdekjen e 31 personave në kanalin anglez, kur anija e tyre u fundos. Ministria e Punëve të Brendshme në Francë ka thënë se 33 persona besohet se ishin në anijen e vogël në momentin e fundosjes. Autoritetet kanë gjetur 31 trupa, përfshirë pesë gra, njëra prej tyre shtatzënë. Dy persona kanë shpëtuar, ndërsa një tjetër është raportuar i zhdukur.

Kombësia e migrantëve ende nuk është bërë e ditur. Shteti francez ka deklaruar se kjo ishte tragjedia më e madhe në histori të kalimeve të refugjatëve mes Francës dhe Britanisë së Madhe.

Katër trafikantë janë arrestuar nën dyshimet për fundosjen e anijes. Dy prej të arrestuarve kanë dalë menjëherë para gjykatës. Prokuroria franceze ka nisur hetimet për vrasje me paramendim dhe migrim të jashtëligjshëm.

Hetimet mund të përfshijnë një numër të madh të shteteve teksa kanë nisur të publikohen informacione për refugjatët e vdekur. Migrantët, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Azia, për një kohë të gjatë kanë përdorur Francën si rrugë transite për të kaluar në Britani.

Kalimet në të shumtën e rasteve janë bërë me kamionë dhe anije të vogla, të organizuara nga trafikantët. Sivjet, më shumë se 25 mijë njerëz kanë tentuar kalimin me anije në Britani – trefish më shumë sesa në vitin 2020.