Botë

Qindra emigrantë tentojnë të kalojnë kufirin Bjellorusi-Poloni

Tri grupe të mëdha emigrantësh kanë tentuar të kalojnë ilegalisht kufirin Bjellorusi-Poloni, njoftuan autoritetet, përcjell “euronews”.

Roja Kufitare Polake raportoi se një grup prej 100 personash u përpoqën të hapnin me forcë kufirin pranë fshatit Dubicze Cerkiewne.

Ndërkohë autoritetet bëjnë me dije se një grup prej 40 emigrantësh thuhet se ka tentuar dy herë me radhë të hyjn ilegalisht në shtetin anëtar të BE-së pranë fshatit Mielnik.

Gjatë përplasjeve mes policisë dhe emigrantëve, u plagos në kokë një ushtar.

Mijëra emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, janë përpjekur të hyjnë në Bashkimin Evropian nëpërmjet Bjellorusisë gjatë muajve të fundit.

Blloku ka akuzuar presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko për inkurajimin e qëllimshëm të migracionit të paligjshëm për të destabilizuar BE-në si hakmarrje ndaj sanksioneve.

Të martën, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen theksoi se BE-ja qëndron në solidaritet me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë.

Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri jehonë deklaratës së von der Leyenit gjatë një takimi të mërkurën me kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki.

Edhe pse numri i emigrantëve në kufirin polak është ulur, Varshava zyrtare thotë se situata nuk ka ndryshuar.