Botë

Shpallja i pafajshëm e adoleshentit për vrasjen e dy personave nxit trazira në SHBA

Në SHBA ka pasur thirrje për qetësi pasi një adoleshent që vrau dy persona dhe plagosi një tjetër, gjatë trazirave racore vitin e kaluar, u shpall të premten i pafajshëm në të gjitha akuzat që rëndonin mbi të.

Kyle Rittenhouse, 18, argumentoi se ai po vepronte në vetëmbrojtje kur qëlloi burrat dhe plagosi një të tretë në Wisconsin.

Vendimi i të premtes, i cili pasoi një gjyq të profilit të lartë që ndau SHBA-në, ndezi protesta në disa qytete.

Por politikanët, përfshirë presidentin Joe Biden, dhe familjet e viktimave kanë kërkuar përmbajtje.

"Ajo që na duhet tani është drejtësia, jo më shumë dhunë”, thanë në një deklaratë avokatët e familjes së Gaige Grosskreutz, i cili u qëllua dhe u plagos nga Rittenhouse.

Të njëjtën thirrje e ka bërë edhe presidenti, Joe Biden, kur është pyetur nga gazetarët për vendimin e gjykatës.

“I bëj thirrje të gjithëve që të shprehin pikëpamjet e tyre në mënyrë paqësore, në përputhje me sundimin e ligjit”, u tha Biden gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë.

Pavarësisht thirrjeve për qetësi, një trazirë shpërtheu në qytetin e Portland, Oregon, të premten në mbrëmje, pasi rreth 200 njerëz thyen xhamat dhe hodhën sende.

Kishte gjithashtu protesta në Çikago dhe Nju Jork, por ato ishin relativisht të ulëta në krahasim me trazirat e përhapura civile që SHBA-ja kishte parë më parë.