Botë

Bosi kolumbian i drogës do të ekstradohet në SHBA

Kolumbia ka njoftuar se trafikanti më i kërkuar i drogës në vend do të ekstradohet në SHBA pasi u kap në një bastisje.

Dairo Antonio Usuga, i njohur si Otoniel, u kap pas një operacioni të përbashkët të ushtrisë, forcave ajrore dhe policisë të shtunën.

Ai drejtoi bandën më të madhe kriminale në vend dhe ka qenë prej vitesh në listën e më të kërkuarve të Agjencisë Amerikane të Zbatimit të Drogës.

Zyrtarët amerikanë kishin vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për kokën e tij.

Ata e akuzuan atë për importimin e të paktën 73 tonë metrikë kokainë në vend midis viteve 2003 dhe 2014.

Ministri i Mbrojtjes i Kolumbisë, Diego Molano, i tha gazetës El Tiempo se hapi tjetër për zyrtarët ishte respektimi i urdhrit të ekstradimit të SHBA-së.

Autoritetet tani e kanë çuar Otonielin në një bazë ushtarake në kryeqytetin Bogota përpara ekstradimit të tij, sipas gazetës El Nuevo Siglo.

Presidenti Ivan Duque përshëndeti kapjen e bosit të drogës në një video-mesazh televiziv.

“Kjo është goditja më e madhe ndaj trafikut të drogës në vendin tonë këtë shekull”, tha ai. "Kjo goditje është e krahasueshme vetëm me rënien e Pablo Escobar në vitet 1990".