Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq deklaroi se ka pasur një plan për vrasjen e presidentit të këtij shteti, Aleksandar Vuçiq.
Siç tha Brbaniq, vrasja ishte planifikuar të ndodhte gjatë zbulimit të monumentit të Stefan Nemanjas, që u bë më 27 janar të këtij viti në Beograd.
“Ishte planifikuar prej kohësh dhe në detaje. Janë formuar struktura paralele në Ministrinë e Brendshme (MPB) dhe janë bërë fushata në mediat e manjatëve, që janë transmetuar edhe në mediat në rajon për dehumanizimin e Vuçiqit, që ta shndërronin atë dhe familjen e tij në një grup kriminal”, tha Brnabiq për televizionin Pink.
Brnabiq tha se këtë rast janë duke u marrë shërbimet kompetente dhe përgjegjësit nuk do të mund t’i ikin drejtësisë pa marrë parasysh “emrin dhe mbiemrin, funksionin dhe përkatësinë partiake”.
Kryeministrja serbe deklaroi se akuzat për përgjimet e Vuçiqit në aferën “Jovanjica” janë “tentativë për grusht-shtet”.
Prokuroria për Krim të Organizuar në janar nisi hetimet për shkak të përgjimeve të paautorizuara të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Siç ka thënë vetë Vuçiqi, dyshohet se ai është përgjuar nga shërbimet vendase.
MPB-ja ka kompetencë mbi këto shërbime. Kjo ministri ishte drejtuar nga Nebojsha Stefanoviq nga viti 2014 deri më 2020, kur ai u emërua ministri i Mbrojtjes. Këtë post ai e mban edhe sot.
Stefanoviq ka deklaruar vazhdimisht se ai kurrë nuk ka marrë pjesë “në ndonjë aktivitet që do ta rrezikonte presidentin Vuçiq apo anëtarët e familjes së tij”.
Edhe ish-sekretarja shtetërore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Diana Hrkaloviq, ishte përmendur se mund të jetë e lidhur me aferën e përgjimit të presidentit. Ajo u arrestua më 15 tetor./REL