Botë

Kina sfidon Bidenin, i përjashton kompromiset rreth Tajvanit

 

Shefi i Shtëpisë së Bardhë, ndonëse i ofroi mbështetje ishullit, ka specifikuar se SHBA-ja nuk po e synon një luftë të ftohtë të re, por ka shprehur shqetësim rreth asaj nëse Kina “do të angazhohet në aktivitete që do ta vënin në pozitë për të bërë një gabim serioz”. “Dua që Kina ta kuptojë se ne nuk do të zmbrapsemi, nuk do ta ndryshojmë asnjë qëndrim tonin”, ka theksuar Biden

Kina ka bërë të ditur të premten se “nuk ka hapësirë” për kompromise apo koncesione rreth çështjes së Tajvanit, pas komenteve të presidentit Joe Biden se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara në mbrojtjen e ishullit po qe se sulmohet.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, ka përsëritur qëndrimin e kahershëm të shtetit se ishulli është territor i tij. Këtë ai e ka thënë gjatë konferencës ditore për media, pasi Bideni i bëri komentet një ditë para një forumi të organizuar nga CNN. Kina ka ashpërsuar vazhdimisht kërcënimet për ta vënë Tajvanin nën kontroll të saj, po qe se është nevoja edhe me forcën e aeroplanëve luftarakë afër ishullit.