Fëmijët e racës së zezë përbëjnë më shumë se 50-përqindëshin e rasteve me prangosje, ani pse ata janë vetëm 15 për qind e popullsisë së fëmijëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata dhe fëmijët e minoriteteve të tjera cilësohen nga policia me moshë më të madhe sesa që janë. Forcat e përdorura më së shumti janë shtrirja përtokë dhe goditjet të përcjella nga drejtimi i armëve ose përdorimi i tyre ndaj fëmijëve. Më pak janë përdorur taktikat e spërkatjes dhe të qenve K-9
Avokatët si Na’Shaun Neal thonë se policët që përdorin forcën ndaj të miturve shpesh varen nga përshtypja se fëmijët gënjejnë. Kundër fjalës së një polici, Neal thotë se “zakonisht askush nuk u beson fëmijëve”.
Neal përfaqëson dy djemtë e identifikuar si R.R dhe P.S nëpër dokumentet e gjykatës. Ata janë përfshirë në një përleshje me policinë më 4 korrik të vitit 2019.
Rasti ndodhi pak orë para mesnatës kur një polic në San Fernando të Kalifornisë, i ndali për t’i pyetur nëse po ndiznin fishekzjarrë. Djemtë po shëtisnin në park, të shoqëruar nga vëllai i madh që mbante një qen.
Sipas ankesës, policët përcollën grupin dhe u thanë se kishin shkelur orën policore; për këtë duhej paraburgosnin. Policia deklaroi se djemtë ishin fajtorë për përleshjen e mëvonshme dhe u akuzuan për sulm ndaj zyrtarit dhe rezistencë të arrestimit.
Mirëpo, më vonë u sigurua një video e shkrepur nga vëllai i R.R. Jonathan Valdivia. Siç ndodhi në rastin e vdekjes së Floydit, i cili u fajësua për vdekjen e tij deri në momentin kur u publikua videoja në të cilën shihej polici i Minneapolisit, Derek Chauvin, duke mbajtur gjurin në qafën e Floydit që në ato momente kërkonte ndihmë, ngjashëm tregonte një histori krejt tjetër videoja e Valdivias.
Videoja shfaqte policin që e detyronte vëllain e tij 14-vjeçar të shtrihej përtokë dhe ta prangoste. Shoku i tij 13-vjeçar mezi mbante frymën. Qafa dhe shpatullat i ishin shkelur nga gjunjët e policit që në atë pozitë qëndroi për 20 sekonda.
“Largohu nga qafa ime! Po më shtrëngon”, dëgjohet 13-vjeçari në këtë video.
Gjykata i shpalli të pafajshëm dy djemtë në një seancë gjyqësore. Neal ka paditur qytetin dhe policin në emër të tyre. Qyteti i San Fernandos mohoi se policët përdorën forcë të tepruar, duke pohuar se djemtë fizikisht i rezistuan arrestimit.
“Ishin konfrontues dhe agresivë me fjalë”, thotë avokati i qytetit, Dan Alderman. “Fatkeqësisht, situata u përkeqësua për shkak të sjelljes së të miturve, jo për shkak të veprimeve të policit”.
Vlen të përmendet se R.R dhe P.S janë latino-amerikanë. Autoritetet thonë se ka arsye përse policët përdorin forcën kundër pakicave më shumë sesa ndaj fëmijëve të racës së bardhë.
Një studim i vitit 2014, i publikuar nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë, zbuloi se djemtë e racës së zezë deri në moshën 10-vjeçare nuk shihen e të njëjtën “pafajësi fëmijërie” si bashkëmoshatarët e tyre të racës së bardhë dhe ka më shumë gjasa që të perceptohen si fajtorë. Ata çdo herë përballen me dhunën e policisë. Studime të tjera kanë gjetur se paragjykim i ngjashëm është edhe për vajzat e racës së zezë.
Vajza 13-vjeçare, Tamika Harrel, shkoi për patinazh me shoqen në qytetin Akron të Ohios, i dominuar nga raca e bardhë. Ajo ishte prej të paktave adoleshente të racës së zezë. Pasi nisi një zënkë, vajza, e cila ishte në tualet, u kap nga polici, u prangos dhe u vendos në pjesën e pasme të automjetit policor.
Paragjykimet ndaj afro-amerikanëve
Harrell pyeti veten pse u veçua fëmija i saj-fëmija i racës së zezë. Më parë kishin marrëdhënie të mira me policinë. Mirëpo kjo ka ndryshuar. Incidenti ka lënë pasoja. E bija del më rrallë dhe ka probleme në përqendrim. Familja ka ngritur padi. Policia ka heshtur në lidhje me rastin.
Richard Dudley, psikiatër i fëmijëve në New York, thotë se shumë policë kanë një paragjykim që i shtyn ata t’i cilësojnë fëmijët afro-amerikanë si më të mëdhenj me moshë, për këtë cilësohen dhe më kërcënues sesa që janë. Për shembull, policia ka më shumë gjasa të mendojë se telefoni i një fëmije afro-amerikan është armë, thotë psikiatri Dudley.
Sipas tij, kjo shndërrohet në një cikël vicioz. Policia reagon keq ndaj fëmijëve dhe ndaj njerëzve që i njohin, kështu fëmijët reagojnë keq ndaj policisë, duke shtyrë policët që të reagojnë keq ndaj fëmijëve.
Fëmijët e pakicave përditë kanë marrëdhënie negative me policinë dhe janë të traumatizuar prej tyre. “Çfarëdo që kanë parë për policinë në të kaluarën, është sfodi për takimin e tyre me një zyrtar policor”, thotë Dudley.
Pra, kur ndodh ky takim, fëmijët mund të reagojnë dhe të jenë shumë vigjilentë. Kjo mund të duket sikur ata nuk po i respektojnë urdhrat e policisë, kur në të vërtetë fëmijët janë të frikësuar.
Polici nuk mendon se “përballë kam një fëmijë në panik dhe duhet ta qetësoj”, thotë Dudley.
Për psikiatrin dhe Johnsonin, kriminologin e Johns Hopkins, trajnimi për zbutjen e policisë nuk është i mjaftueshëm. Duhet të përfshijë elemente të paragjykimeve dhe shëndetit mendor dhe duhet të integrohet në punën e përditshme të një polici.
Problemet racore
Jackson thotë se ka punuar me fëmijët e racës së zezë në Baltimore dhe gjërat e para që dëgjon janë se nuk mund t’i flasin një polici nëse nuk është i veshur si të tjerët.
“Ka një reagim të thellë. Kjo është traumë. Disa nga këta fëmijë, edhe nëse nuk do të ishin ndalur vazhdimisht, janë ngulitur në strukturën e asaj për të cilën Amerika njihej për një kohë të gjatë, dhe ata e dinë se çfarë përfaqëson uniforma e policit në komunitetin e tyre”, thotë Jackson.
Disa raste kanë nxitur ndryshime. Në distriktin e Columbias, për shembull, policët nuk i prangosin fëmijët nën moshën 13-vjeçare, përjashtuar në rastet kur fëmijët janë në rrezik për veten ose të tjerët.
Ligji u përditësua në vitin 2020 pas incidenteve në të cilat u arrestuan dy fëmijë: një dhjetëvjeçar u arrestua nën dyshimin për plaçkitje, autoritetet thonë se policia ka ndjekur protokollin në prangosjen e tij, por pak javë më vonë prangosën një 9-vjeçar që nuk kishte kryer asnjë krim.
Politikat e forcës së bazuar në moshë janë shumë të rralla, thotë Lisa Thurau, e cila themeloi grupin “Strategjitë për të rinjtë” që ka për qëllim që të trajnojë policinë për bashkëveprim më të sigurt me fëmijët. Ajo thotë se të paktën 20 shtete amerikane nuk kanë politika që përcaktojnë moshën minimale për arrestim.
Pa politika të ashpra, “supozimi i një polici është i arsyeshëm se ata duhet t’i trajtojnë adoleshentët si të rritur”, thotë Thurau.
Departamenti i Policisë në Cincinnati ndryshoi politikën e përdorimit të forcës pasi një polic vrau vajzën 11-vjeçare me revole elektrike për vjedhje në një dyqan. Politika e departamentit e lejonte policin që të neutralizonte fëmijët deri në moshën 7-vjeçare, por ky ligj ndryshoi në vitin 2019 për të dekurajuar përdorimin e revoleve të tilla ndaj fëmijëve të vegjël.
Avokati Al Gerhardstein, i cili përfaqësoi vajzën dhe ndihmoi në peticionin për ndryshimin e politikave, thotë se modeli i forcës që vërejti kundër fëmijëve me ngjyrë të zezë e alarmoi menjëherë. Të dhënat që i siguroi, tregojnë se policia në Cincinnati përdori revole elektrike ndaj 48 fëmijëve të moshës 15-vjeçare ose më të rinj. Revolet e tilla u përdorën nga viti 2013 deri më 2018. Të gjithë, përveç dy fëmijëve, ishin të racës së zezë.
Mirëpo në shumicën e departamenteve pak diskutohet rreth fëmijëve dhe policisë, ndërkaq prindërit kanë pak mundësi, përveç padisë. Nëse arrihet një marrëveshje, shpesh dëmshpërblimi paguhet nga qyteti sesa nga policët e përfshirë.
Duart e vogla
Në Aurora të Kolorados, një video e policit që prangos fëmijët afro-amerikanë mori vëmendje të madhe. Në video shiheshin vajzat e moshave, 6, 12, 14 dhe 17-vjeçare, të shtrira përtokë. Më e vogla thërriste nënën. Tjetra pyeste policin, “A mund ta përqafoj motrën time afër meje?”.
Policia deklaroi se më të voglës nuk mund t’ia vendoste prangat, sepse duart i kishte shumë të vogla.
Nëna e tyre, Brittney Gilliam, po i çonte në sallonin e thonjve. U ndal nga policia sepse besonin se po ngiste një veturë të vjedhur. Ajo nuk e kishte vjedhur. Automjeti kishte targat e Colorados, ndërkaq ajo e vjedhura kishte targat e Montanas.
Zyrtarët thonë se policët kishin bërë gabime, por nuk janë liruar nga detyra. Ata nuk u përballën me akuza dhe kur bëhet fjalë për fëmijët nuk është bërë asnjë ndryshim në ligjet aktuale.
Që prej rastit familja ka ngritur padi. Edhe familja e X’Zane Watts ngriti padi në Charleston të Virginias, pas incidentit të vitit 2017, kur policia gabimisht dyshoi te fëmija i klasës së tetë për një vjedhje.
X’Zane thotë se po luante në rrugën afër shtëpisë me kushëririn e tij dyvjeçar kur tre burra të racës së bardhë në rroba civile dolën nga makina dhe filluan të vraponin drejt tyre me armë në duar. Fëmijëve ua vunë armën në kokë dhe i përplasën përtokë.
Nëna e tij, Charissa Wattws, krejt ngjarjen e pa nga kuzhina. Nuk e dinin se ishin policë. Këtë nuk e dinte as X’Zane.
“Lëvizja më e vogël dhe ata mund ta kishin vrarë. Fjalët e gabuara nga goja dhe do ta kishin vrarë”, thotë ajo.
Në vitet pastaj, Charlestoni zgjodhi një kryebashkiak dhe shefin e policisë. Ata vunë në dukje ndryshimet që kanë bërë: ndaluan përdorimin e disa armëve, vendosjen e kamerave të trupit dhe ofrimin e shumë trajnimeve për shëndetin mendor dhe qetësim të situatës.
“Që kur u emërova shef policie, kemi punuar për rishikimin e rregulloreve dhe i kemi pajisur policët me mjetet për të ofruar siguri për banorët, por së bashku gjithmonë mund të bëjmë më shumë”, thotë shefi i policisë, Tyke Hunt.
Familja Watts ngriti padi, duke akuzuar policët brutalë ndaj X’Zanet. Arritën marrëveshje në vitin 2019.
Viti pas incidentit ishte i vështirë, thotë X’Zane. Bërryli, i dëmtuar gjatë ndërhyrjes policore, ia pamundësoi që të luante futboll; ishte i zemëruar dhe i shpërqendruar. Familja është shpërngulur nga qyteti për të shpëtuar nga kujtimet e asaj dite.
Sot e asaj dite, X’Zane është përmirësuar. Shpreson t’u bashkohet forcave ajrore të SHBA-së. Në njëfarë mase e ka lënë prapa atë që i ndodhi. “Për një kohë të gjatë më ka tmerruar”, thotë ai.
(Fund)
Përktheu: Gent Mehmeti