Botë

Kyçet e vogla në pranga: Brutaliteti i policisë ndaj fëmijëve

Descriptive Text

Fëmijët e racës së zezë përbëjnë më shumë se 50-përqindëshin e rasteve me prangosje, ani pse ata janë vetëm 15 për qind e popullsisë së fëmijëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata dhe fëmijët e minoriteteve të tjera cilësohen nga policia me moshë më të madhe sesa që janë. Forcat e përdorura më së shumti janë shtrirja përtokë dhe goditjet të përcjella nga drejtimi i armëve ose përdorimi i tyre ndaj fëmijëve. Më pak janë përdorur taktikat e spërkatjes dhe të qenve K-9

Royal Smart mban mend çdo detaj: ndjesinë e prangave në kyçet e tij. Panikun që e kapi kur e sollën në errësirën e marsit të ftohtë, duart e ngritura para një grumbulli policësh që ia kishin drejtuar revolet. Ishte tetëvjeçar.

As ai apo ndonjë familjar tjetër nuk ishte arrestuar në shtëpinë e tyre në South Side të Chicagos para dy vjetësh, kur policia me urdhërbastisje po kërkonte armë të jashtëligjshme, të cilat aty nuk i gjeti. Ama sot e asaj dite gjatë maktheve dhe ecjeve të rastësishme ai tmerrohet nga kujtimi i policëve që thyen dyert e secilës dhomë, duke urdhëruar njerëzit që të shtriheshin përtokë.

“Nuk mund të fle. Ende mendoj se policët janë duke ardhur”, thotë Smart.

Fëmijët si Royal janë lënë jashtë temës pasi George Floydi vdiq në duart e policisë në vitin 2020, duke ngjallur debat të zjarrtë lidhur me përdorimin e tepruar të forcës nga zyrtarët policorë, sidomos ndaj të rriturve afro-amerikanë. Fëmijët janë ende të lënë anash ani pse kanë nisur reformat nga ligjvënësit dhe departamentet policore. Mirëpo rast pas rasti është zbuluar se fëmijët që prej moshës 6-vjeçare trajtohen ashpër, madje edhe brutalisht nga zyrtarët e ligjit.

Janë prangosur, u është drejtuar revolja elektrike dhe janë shtrirë përtokë nga policët dy herë më të mëdhenj sesa ata. Departamentet kombëtare kanë pak fuqi për të penguar këto incidente.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” ka analizuar të dhënat nga 3 mijë raste kur policia ka përdorur forcën ndaj fëmijëve nën moshën 16-vjeçare në 11 vjetët e fundit. Me këto të dhëna pritet të krijohet një databazë për përdorim të forcës, përfshirë incidentet nga 25 departamente policore në 17 shtete amerikane.

Fëmijët e racës së zezë përbëjnë më shumë se 50-përqindëshin e me prangosje, ani pse ata janë vetëm 15 për qind e popullsisë së fëmijëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata dhe fëmijët e minoriteteve të tjera cilësohen nga policia me moshë më të madhe sesa që janë. Forcat e përdorura më së shumti janë shtrirja përtokë dhe goditjet të përcjella nga drejtimi i armëve ose përdorimi i tyre ndaj fëmijëve. Më pak janë përdorur taktikat e spërkatjes dhe qenve K-9.

Forca e tepruar

Në Minneapolis policët kanë rrëzuar fëmijët përtokë të paktën 190 herë. Në Indianapolis më shumë se 160 fëmijë janë prangosur; në Wichita të Kansasit policët kanë përdorur revolet elektrike ndaj fëmijëve në së paku 45 raste. Shumica e tyre janë adoleshentë, por të dhënat kanë përfshirë raste të fëmijëve deri në 10 vjet.

Forca zakonisht është përdorur për të rrëzuar përtokë fëmijët, të cilat janë akuzuar për krime serioze.

Policia ka raportuar se në shumicën e rasteve fëmijët e neutralizuar me revole elektrike ishin të armatosur; ndërkaq të tjerët po përjetonin kriza mendore dhe rrezikonin të lëndonin veten. Forca është keqpërdorur kur fëmijët kanë tentuar të iknin nga intervistimi i policisë.

Në Saint Petersburg të Floridas policët kanë ndjekur një afro-amerikan nën dyshimin për vjedhje të veturës pasi ai ia doli të dilte nga xhami i veturës së policisë. Ai ishte 13-vjeçar dhe peshonte 36 kilogramë. Ndjekja e tij përfundoi nën dhëmbët e qenit të policisë.

Nuk ka ligje që ndalojnë përdorimin e forcës policore kundër fëmijëve. Disa departamente kanë rregullore me të cilat saktësohet se si duhet të prangohet një fëmijë, por pak prej tyre përmendin moshën nëpër këto rregullore. Teksa shumë prej tyre ofrojnë një udhëzim se si të menaxhohet i mituri i akuzuar për krime apo se si të prangoset një person me probleme mendore, në hulumtim “Associated Press” nuk ka zbuluar rregullore të tilla.

Kjo është planifikuar, thonë ekspertët e policisë, pjesërisht në mënyrë që oficerët të mund të marrin vendime kritike brenda momentit. Mirëpo kjo nuk do të thotë se policia nuk bën trajnime të nevojshme për t’u përballur me fëmijët.

“Adoleshentët janë aq të ndryshëm në shumë aspekte dhe teknikat që oficerët janë mësuar t’i përdorin... thjesht nuk i përshtatet ndërveprimit që duhet të jetë me të rinjtë”, thotë Dylan Jackson, kriminolog në Universitetin Johns Hopkins, i cili punon me Departamentin Policor të Baltimores për takime me të miturit.

Trauma zgjat. Fëmijët nuk i zë gjumi. Ata tërhiqen dhe veprojnë. Truri i tyre është ende në zhvillim dhe takimet kanë ndikim afatgjatë, thonë psikologët.

“Mendoj se kur policët e kuptojnë bazën e zhvillimit social, emocional, fizik dhe psikologjik te të rinjtë – kjo njëmend und t’u ndihmojë që të kuptojnë pse duhet të kenë nevojë për qasje më ndryshe”, thotë Jackson.

Trajnimi i ofruar nga Shoqata Kombëtare e Policëve përfshin seanca mbi trurin e adoleshentëve për t’u ndihmuar policëve të kuptojnë pse reagimi i fëmijëve është shumë më ndryshe, thotë drejtori ekzekutiv i shoqatës, Mo Canady. Mirëpo jo çdo departament bën këtë trajnim.

Canady dhe ekspertë tjerë janë kundër politikave të zakonshme që do të ndalonin përdorimin e forcës kundër fëmijëve.

“Nuk mund të thuash vetëm sepse një nxënës është 12-vjeçar ne nuk do ta përdorim forcën”, thotë Canady. “Ndaj shumicës së 12-vjeçarëve nuk do të duhej të përdorej forca. Mirëpo nuk mund të dinin rrethanat e çdo gjëje. Mund të keni përpara syve një 12-vjeçar shumë më të madh, më të fuqishëm dhe mund të përdorni një nivel të forcës”.

Image
Royal, djaloshi nga Chicago, kishte qëndruar në pranga për 30 minuta në të ftohtin e madh, përkrah nënës dhe të rriturve tjerë të shtëpisë. Rreshteri më vonë e la të lirë dhe tezja erdhi që të kujdesej për fëmijët.

Trauma e fëmijëve

Royal, djaloshi nga Chicago, kishte qëndruar në pranga për 30 minuta në të ftohtin e madh, përkrah nënës dhe të rriturve tjerë të shtëpisë. Rreshteri më vonë e la të lirë dhe tezja erdhi që të kujdesej për fëmijët.

Vëllai i tij, Roy, një vit më i madh, qëndroi duke shikuar, nuk dinte çfarë të thoshte apo bënte. Sipas padisë së dorëzuar nga familja, “policia nuk e prangoi sepse nuk kishin më pranga”. Roy fillimisht mendoi se vëllai i vogël ishte prangosur për shkak se dukej pak më i frikshëm. Kishte të veshur një bluzë ngjyrë blu.

Po atë pranverë, në një krah tjetër të South Side, tre fëmijët e Krystal Archie ndodheshin në apartament kur polica në dy raste, vetëm 11 javë ndërmjet - goditi derën e hyrjes dhe bëri copash dollapët në kërkim për të dyshuarit e drogës. Kurrë nuk kishte dëgjuar për njerëzit që policia po i kërkonte.

E bija e madhe Savannah ishte 14-vjeçare, Telia 11 dhe më i vogli Jhaimarion 7. U urdhëruan që të shtriheshin përtokë. Telia thotë se momenti më i frikshëm ishte kur polici vuri këmbën në shpinën e Savannhas.

Archie thotë se fëmijët e saj “u urdhëruan të shtriheshin sikur të ishin kriminelë. U morën në pyetje sikur të ishin të rritur”.

Duart e Savannah dridhen sa herë që sheh veturën policore. “Shtangem dhe frikësohem”, thotë ajo.

Dy familjet kanë paditur policinë e Chicagos, nën akuzat për arresti të rremë, sjellje të pahijshme dhe shqetësime emocionale. Policia nuk ka komentuar rastet e familjeve, por ka thënë se politikat e rishikuara në muajin maj kërkojnë planifikime shtesë për njerëzit e cenueshëm si fëmijët.

Por avokati i dy familjeve, Al Hofeld Jr, thotë se incidentet janë pjesë e një modeli dhe përfaqësojnë forcën e veçantë të përdorur keq ndaj familjeve të varfra afro-amerikane.

“Numri i rasteve që kemi janë vetëm maja e Ajsbergut”, thotë ai.

Rreth 265 kilometra më në jug, në fshatin e Parisit të Illinoisit, 15-vjeçari Skyler Davis po ngiste biçikletën afër shtëpisë kur nuk respektoi urdhrin lokal që ndalonte përdorimin e biçikletës në zonën e biznesit – urdhër që zbatohej rrallë.

Por atë ditë, sipas babait të Skylerit, Aaron Davis, policët e përcollën të birin e tij me çrregullime mendore. Policët e sollën në shtëpi dhe e prangosën. E përplasën për muri, thotë babai i tij. Davis arriti për të parë në shtëpi dhe pa teksa policët e tërhiqnin të birin 1.5 metra gjatësi dhe peshë vetëm 36 kilogramë. “Ishte pamje e pastër terrori”.

“Ishte fëmijë i lumtur që ngiste biçikletën skaj rrugës. Dhe 30 deri në 45 sekonda më vonë e shihni si pedalonte për jetën e tij”.

Videoja e ndjekjes ishte kapur nga kamerat e sigurisë jashtë departamentit të policisë. Familja ka ngritur padi ndaj policëve. Dy policë kanë marrë vërejtje me shkrim, thotë avokati Jode Redwood.

“Ajo që i bën djalit ishte brutale”, thotë Davis.

Kristin Henning, drejtoreshë e Klinikës për Drejtësi në Universitetin Juridik të Georgetownit, për më shumë se 20 vjet ka përfaqësuar fëmijët e akuzuar për delikuencë dhe thotë se situata përkeqësohet nga 0 në 100 brenda pak sekondave – shpesh sepse policët sjelljen impulsive të fëmijëve e cilësojnë si kërcënim.

“Kur jeni pranë fëmijëve dhe punonim me ta çdo ditë, e shihni se janë vetëm fëmijë, se ajo që bëjnë është si çdo fëmijë tjetër”, thotë ajo. “Duke folur, duke qenë vetja, duke eksperimentuar dhe duke shprehur pakënaqësinë e tyre – ajo që bëjnë fëmijët”.

(Vijon)

Përktheu: Gent Mehmeti