Botë

Auf Wiedersehen: Merkeli në samitin e saj të fundit (mbase) të BE-së

Doajenja e politikës evropiane është ulur në tryezë të konferencave me katër presidentë francezë, pesë kryeministra britanikë dhe tetë italianë që prej samitit të saj të parë të BE-së në dhjetorin e 2015-s. Të enjten ajo është ulur sërish në një tryezë të negociatave me liderët e 27 vendeve të BE-së. Ky supozohet të jetë samiti i saj i fundit prej më se 100 syresh. Por, nëse partitë politike në Gjermani nuk arrijnë që ta formojnë Qeverinë e re deri në mes të dhjetorit, atëherë 67-vjeçarja mund të rikthehet në Bruksel edhe për samitin e saj të 108-të

Bruksel, 21 tetor (Reuters) – Liderët e Bashkimit Evropian e ndalën për pak minuta takimin e tyre në Bruksel të enjten për një fotografi lamtumirëse me Angela Merkelin, e cila po merr pjesë në atë që mund të jetë i fundit prej më shumë se 100 samiteve të bllokut gjatë afro 16 vjetëve të saj si kancelare e Gjermanisë.

Në një analizë mbi karrierën e gjatë politike të Merkelit, Reutersi ka numëruar se si doajenja e politikave evropiane është ulur në tryezë të konferencave me katër presidentë francezë, pesë kryeministra britanikë dhe tetë italianë që prej samitit të saj të parë të BE-së në dhjetorin e 2015-s.

Asokohe, njëjtë sikurse sot me rastin e Polonisë që po e sfidon supremacinë e ligjeve të BE-së, mbizotëronte një përplasje ndezëse midis pjesëtarëve të bllokut.

Presidenti francez, Jacques Chirac, dhe kryeministri britanik, Tony Blair, kishin mprehur shpatat mes vete rreth buxhetit të BE-së dhe kontos që Londra e merrte prej kontributeve të saja.

Me pragmatizmin që doli ta definonte qasjen e saj, Merkeli u tha gazetarëve menjëherë pas ardhjes së saj atë vit: “Duam që t’i nisim negociatat tani dhe mendoj se do të bëjmë krejt çfarë mundemi për ta gjetur një marrëveshje”.

Duke e quajtur praktikuese të shkathtë të “diplomacisë së korridoreve”, Merkeli sipas Reutersit është dëshmuar e aftë përgjatë vitesh në gjetjen e kompromiseve qenësore për kapërcimin e përplasjeve në BE.

Kriza e ndërlidhur më ngushtësisht me vetë Merkelin u shpalos në kohën e mbërritjes së emigrantëve më 2015, kur ajo i hapi kufijtë e Gjermanisë për azilkërkuesit, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku. E derisa Hungaria ngrinte mure përgjatë kufirit të saj me Serbinë vetëm për t’i mbajtur emigrantët larg vendit, ishte sërish Merkeli ajo që u paraqit në samitin e veçantë të atij viti me një thirrje për unitetin evropian, madje duke e përsëritur filozofinë e saj personale “wir schaffen das” apo “mund ta bëjmë këtë”.

“E përballur me një sfidë të madhe, Evropa nuk mund të thotë ‘mund ta menaxhojmë këtë situatë’, gjë kjo që do të ishte goxha e gabuar”, kishte thënë ajo asokohe, kujton Reutersi.

Në fazën e hershme të detyrës së saj, ajo ishte vënë në ballë të përgjigjes karshi krizës në Eurozonë, teksa politikat e kursimit po nxisnin pakënaqësi mes vendeve jugore anëtare, si Greqia.

“Vetë Merkeli shpeshherë u vë në cak gjatë demonstratave rrugore, duke u portretizuar në karikatura nëpër pankarte dhe posterë nga Athina deri në Lisbonë, nganjëherë edhe si një naziste me mustaqe të Hitlerit”, ka shkruar agjencia e lajmeve.

Megjithëkëtë, “fotografia e fundit” e së enjtes me liderët e 27 vendeve të BE-së për ta shënuar largimin e saj mund të rezultojë paksa e parakohshme.

Partitë politike në Gjermani kanë nisur tanimë bisedimet formale për koalicionin e ri qeverisës dhe në rast se nuk arrijnë që ta formojnë Qeverinë deri në mes të dhjetorit, atëherë 67-vjeçarja Merkel mund të kthehet sërish në Bruksel për samitin e saj të 108-të në BE.