Botë

Ish-këshilltari i Trumpit do të përballet me ndjekje penale

Foto: AP
 

Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve që po i heton trazirat e 6 janarit në Capitol të Washingtonit ka votuar për ta rekomanduar përndjekjen penale ndaj ish-shefit të strategjive të Donald Trumpit, Steve Bannon. Votimi është bërë vetëm pak ditë pasi që Bannoni refuzoi që të intervistohej në lidhje me hetimet që po zhvillohen rreth trazirave të 6 janarit.

Pas këtij vendimi Dhoma e Përfaqësuesve pritet që të enjten të autorizojë një panel që ta ngrinte padinë në gjykatë për dënimin e Bannonit. Anëtarët e komitetit hetues e morën vendimin e ashpër për t’ua tërhequr vërejtjen zyrtarëve të tjerë të administratës Trump se refuzimi për t’iu përgjigjur hetuesve të sulmit ngërthen pasoja të rënda. Komiteti ka ftuar për intervistim këshilltarët e afërt të Trumpit nën kërcënimin e ndjekjes penale. Mirëpo me urdhrin e ish-presidentit, Bannoni ka refuzuar të përgjigjet, përderisa tre zyrtarë tjerë të Trumpit kanë nisur bisedimet në lidhje me zgjatjen e bashkëpunimit. Pas miratimit nga Dhoma e Përfaqësuesve Departamenti i Drejtësisë e transferon rastin në zyrën e prokurorit të SHBA-së që do ta nxjerrë atë më pas para jurisë federale. Në rast se Bannoni shpallet fajtor, ai mund të dënohet me një vit burgim dhe një gjobë prej 100 mijë dollarësh.