Fëmijët e moshave nga 5-11 vjeç në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), së shpejti do të mund të vaksinohen kundër COVID-19, ka bërë të ditur të mërkurën Shtëpia e Bardhë, e cila tashmë ka detajizuar planin, derisa po pret edhe autorizimin e Pfizerit për ta nisur këtë proces brenda pak javësh.
Rregullatorët federalë do të takohen brenda dy javëve të ardhshme, për t’i peshuar dobitë nga dhënia e dozave të vaksinës fëmijëve.
Brenda disa orësh nga miratimi formal, i pritur pasi të nënshkruhet nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave dhe nga një takim i panelit këshillues të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të planifikuar për 2-3 nëntor, dozat do të fillojnë të dërgohen tek ofruesit në të gjithë vendin, së bashku me gjilpëra më të vogla të nevojshme për injektim të fëmijëve të vegjël, dhe brenda ditëve do të jetë gati për të shkuar në krahët e fëmijëve në një shkallë të gjerë.
Siç ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë, rreth 15 milionë doza të vaksinave do të shpërndahen në të gjithë vendin vetëm brenda javës së parë, pas aprovimit.
"Jemi duke përfunduar planifikimin operacional për të siguruar që vaksinimet për fëmijët e moshës 5-11 vjeç janë në dispozicion, të lehta dhe të përshtatshme”, ka thënë koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për COVID-19 Jeff Zients të mërkurën.
"Ne do të jemi gati, në pritje të vendimit të FDA-së dhe CDC-së”, ka vazhduar ai.
Vaksinat Pfizer kërkojnë që koha mes dy dozave të vaksinës të jetë tri javë dhe dy javë që të krijohet mbrojtja e plotë. Kjo nënkupton se fëmijët të cilët do të marrin dozën e parë të Pfizerit brenda dy javësh, do të jetë plotësisht të vaksinuar deri për Krishtlindje.