Në katërvjetorin e burgosjes së Osman Kavalas, filantrop dhe aktivist i njohur i të drejtave të njeriut, ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Francës, Finlandës, Danimarkës, Gjermanisë, Holandës, Zelandës së Re, Norvegjisë dhe Suedisë kanë lëshuar një deklaratë të rrallë, të përbashkët, që bënte thirrje për lirimin e menjëhershëm të filantropit. Veprimi ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Ankarasë
Ministria e Jashtme e Turqisë ka thirrur të martën në konsultime ambasadorët e Francës, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të tetë vendeve të tjera perëndimore në shenjë proteste ndaj kërkesave të këtyre vendeve për lirimin e filantropit dhe aktivistit të burgosur të të drejtave të njeriut, Osman Kavala, në përputhje me vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesat kishin nxitur zemërimin e zyrtarëve qeveritarë, të cilët i akuzuan vendet për ndërhyrje në gjyqësorin turk, ka raportuar transmetuesi “Al-Jazeera”.
64-vjeçari Kavala është i burgosur që nga tetori i 2017-s dhe po gjykohet për një sërë akuzash, përfshirë atë për spiunazh dhe tentim për rrëzimin e Qeverisë nëpërmjet përfshirjes së pretenduar në protestat e 2013-s në Gezi të Stambollit dhe tentim puçin e 2016-s. Ai i ka mohuar të gjitha këto akuza. Gjykimi kundër Kavalas ishte dënuar ashpër nga grupet turke dhe ato ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, teksa Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) e kishte urdhëruar lirimin e tij.
Sipas raportimit të “Al-Jazeeras”, të hënën vonë, pikërisht në katërvjetorin e burgosjes së Kavalas, ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Francës, Finlandës, Danimarkës, Gjermanisë, Holandës, Zelandës së Re, Norvegjisë dhe Suedisë kanë lëshuar një deklaratë të rrallë të përbashkët që bënte thirrje për lirimin e menjëhershëm të filantropit.
“Shtyrja e vazhdueshme e gjykimit të tij, me anë të përbashkimit të rasteve të ndryshme dhe krijimit të të rejave pas shfajësimit të mëhershëm, e vë në hije respektimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe transparencën në sistemin gjyqësor të Turqisë”, thuhej në deklaratë, raporton “Al-Jazeera”.
Gjatë së martës, ambasadorët e këtyre vendeve mbërritën në selinë e Ministrisë së Jashtme turke në Ankara dhe u takuan me zyrtarët turq për 20 minuta, për ta dëgjuar një qortim të rrallë të përbashkët ndaj diplomatëve perëndimorë.
Ministria e Jashtme ka bërë të ditur pas takimit se diplomatët “e kanë kaluar kufirin” e sjelljes së pranueshme diplomatike, duke e lëshuar një deklaratë që thërret për lirimin e Kavalas.
“Kjo deklaratë tenton që ta politizojë procesin ligjor dhe t’i ushtrojë presion gjyqësorit turk, sundimit të ligjit dhe demokracisë, të cilat ambasadorët pretendojnë se po i mbrojnë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë, të cituar nga AJ-ja. Për më tepër, Ministria ka cekur se veprimi përbën “standard të dyfishtë” në mënyrën se si Turqia po veçohet rreth moszbatimit të vendimeve të ECHR-së.
Në shkurtin e 2020-s, një gjykatë turke e kishte shfajësuar Kavalan nga akuza se qëndronte prapa protestave të vitit 2013 në Gezi. Por vetëm disa orë pas këtij vendimit, prokurorët ngritën akuza të reja, duke e ngarkuar atë për pjesëmarrje në konspiracionin e imamit me strehim në SHBA, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson për orkestrimin e puçit të dështuar të 2016-s.
“Al-Jazera” kujton se sivjet, rasti i Kavalas është bashkuar me atë të 51 të pandehurve të tjerë, përfshirë një grup të fansave të futbollit nga Stambolli, të akuzuar për tentim rrëzimin e dhunshëm të Qeverisë gjatë protestave të 2013-s.
Kavala është njëri prej aktivistëve më të njohur turq për të drejtat e njeriut dhe puna e tij është përqendruar në punët që ndërlidhen me marrëdhëniet Turqi-Armeni dhe të drejtat e pakicës kurde në vend.
ECHR-ja vazhdimisht ka urdhëruar Turqinë që t’i rrëzojë akuzat dhe ta lirojë Kavalan, porse Ankaraja nuk u është bindur urdhrave.
Turqia, e cila prej kohësh ka kërkuar të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, është pjesë e Këshillit të Evropës dhe nënshkruese e ECHR-së, prandaj dhe i kërkohet që t’i pasojë vendimet e gjykatës. Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës pritet të takohet në fund të tetorit për të diskutuar nëse do t’i nisë zyrtarisht procedurat për shkelje kundër Turqisë, lidhur me refuzimin e vendit për t’i rrëzuar akuzat. Po qe se trupi i kërkon gjykatës që zyrtarisht ta ngarkojë Turqinë për shkelje, atëherë Këshilli mund të votojë për pezullimin e anëtarësimit të Turqisë.
Turqia është bërë vendi i dytë në botë, pas Azerbajxhanit, që përballet me procedura të tilla në Këshillin e Evropës.