Presidenti Joe Biden ka thënë se Powelli “i mishëroi idealet më të larta si të luftëtarit ashtu edhe të diplomatit”. “Ai besoi në premtimin e Amerikës, pasi që e jetoi atë. Dhe ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës shndërrimit të këtij premtimi në realitet për aq shumë njerëz të tjerë”, ka thënë Biden. Pas lajmit për vdekjen e tij, flamujt në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit janë ulur në gjysmështizë
Colin Powell, ushtar që theu barriera dhe diplomat që u shërbeu presidentëve demokratë dhe republikanë në luftë e paqe, por reputacioni i pastër i të cilit ishte njollosur nga pretendimi i tij i gabuar për ta justifikuar luftën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Irak, ka vdekur të hënën nga ndërlikimet e shkaktuara prej COVID-19. Ai ishte 84 vjeç.
Si veteran i luftës së Vietnamit, Powelli i kaloi 35 vjet të jetës në ushtri dhe u ngrit në rangun e një gjenerali me katër yje. Më 1989 ai u bë i pari shef me ngjyrë i Stafit të Përbashkët të Shefave. Në këtë cilësi e mbikëqyri okupimin amerikan në Panama dhe më pas edhe atë në Kuvajt për ta dëbuar ushtrinë irakiane më 1991. Një dekadë më vonë iu bashkua kabinetit të presidentit republikan, George W. Bush, si i pari sekretar shteti me ngjyrë.
Trashëgimia e tij ishte njollosur kur në shkurtin e 2003-s doli para Këshillit të Sigurimit të OKB-së si sekretar shteti dhe bëri thirrje për luftë amerikane kundër Irakut, në një kohë të skepticizmit të shtuar ndërkombëtar. Përmendi informatën e gabuar që pretendonte se lideri irakian, Saddam Husein, kishte fshehur tinëzisht armë për asgjësim në masë.
“Pretendimet e Irakut se nuk posedon armë të këtilla paraqesin një rrjet të gënjeshtrave”, kishte thënë ai asokohe para trupit botëror.
Në njoftimin e vdekjes së tij nëpër media sociale, familja e Powellit ka bërë të ditur se ai ishte i imunizuar plotësisht kundër koronavirusit.
“E kemi humbur një bashkëshort, baba dhe gjysh të jashtëzakonshëm dhe të dashur, dhe një amerikan të madh”, ka bërë të ditur familja.
Powelli po trajtohej në qendrën kombëtare mjekësore “Walter Reed” në Bethesda të Marylandit.
Peggy Cifrino, ndihmës i kahershëm i Powellit, ka thënë se ai ishte trajtuar gjatë disa vjetëve të fundit për miolema të shumëfishta, apo kanceri i gjakut. Postimi i familjes Powell nuk ka specifikuar nëse ish-sekretari kishte ndonjë sëmundje shoqëruese.
Miolema e shumëfishtë e dëmton aftësinë e trupit për ta luftuar infeksionin dhe studime të shumta kanë treguar se pacientët me këtë lloj të kancerit nuk gjenerojnë mbrojtje të mjaftueshme nga COVID-19 me anë të vaksinimit.
Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Joe Biden ka thënë se Powelli “i mishëroi idealet më të larta si të luftëtarit ashtu edhe të diplomatit”.
“Ai besoi në premtimin e Amerikës, pasi që e jetoi atë. Dhe ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës shndërrimit të këtij premtimi në realitet për aq shumë njerëz të tjerë”, ka thënë Biden.
Pas lajmit të vdekjes së tij, flamujt në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit janë ulur në gjysmështizë.
Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Powelli ishte i pari zyrtar amerikan që publikisht ia ngarkoi përgjegjësinë “Al-Qaedas” së Osama bin Ladenit, në atë që rezultoi më pas në shpalljen e luftës kundër terrorizmit nga presidenti i atëhershëm Bush.
Presidenti Bush bashkë me ish-zonjën e parë, Laura Bush, e shprehën “pikëllimin e thellë” për vdekjen e Powellit.
“Ai ishte një shërbyes i mrekullueshëm publik dhe ishte i respektuar si në vend ashtu edhe gjetkë”, ka thënë Bush. “Dhe ç’është më e rëndësishmja, Colini ishte burrë familjar dhe mik. Laura dhe unë u shprehim ngushëllime të sinqerta Almas dhe fëmijëve të tyre, teksa ata e kujtojnë jetën e një burri të madh”.
Pas shërbimit nën presidentët republikanë, Powelli e kishte synuar edhe kandidimin presidencial, por përfundimisht kishte hequr dorë nga partia. Kishte mbështetur demokratët në katër zgjedhjet e fundit presidenciale, duke nisur prej Barack Obamas. Është spikatur si kritik i hapur i Donald Trumpit, duke e përshkruar atë si “turpërim kombëtar” që është larguar nga detyra nëpërmjet impiçmentit. Ndërkaq pas sulmit të 6 janarit ndaj Kongresit Amerikan, Powelli kishte thënë se më nuk e konsideronte veten republikan.