3 perditesime
18:11

Votimet në Maqedoninë e Veriut edhe pas orës 19:00

Procesi zgjedhor në Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë edhe pas orës 19:00 në të gjitha vendvotimet ku qytetarët nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.

Këtë e bëri të ditur kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtovski, duke sqaruar se vazhdimi i votimit bëhet për shkak të problemeve teknike lidhur me votimin biometrik.

Të gjithë personat që ndodhen në hapësirat e vendvotimeve apo jashtë tyre dhe që presin për të votuar, në bazë të ligjit kanë të drejtën e votimit dhe votimi duhet të vazhdojë derisa të njëjtit të shfrytëzojnë të drejtën e votës.

Në 11 vendvotime votimi nuk ka nisur me kohë dhe në to votimi do të vazhdojë për aq kohë sa ishte ndërprerë procesi.

"Në gjashtë vendvotime nuk është votuar me aparatet me teknologjinë e shenjave të gishtave për shkak të mosfunksionimit të tyre kështu që votimi ka vazhduar me procedurën e vjetër të votimit”, ka deklaruar Dashtevski.

Ai ka bërë të ditur se në bazë të Kodit Zgjedhor, heshtja parazgjedhore do të vazhdojë për aq kohë sa do të vazhdojë votimi, kështu që mediat, sipas tij, nuk kanë të drejtë të komentojnë procesin zgjedhor.

Sipas të dhënave të KSHZ-së, deri në orën 17.00, në votime kanë dalë rreth 41 për qind e votuesve, apo 547,284 persona nga rreth 1.8 milionë sa janë të regjistruar në listën e përgjithshëm zgjedhore.

Dalje më të lartë ka në komunën e Vevçanit afër Strugës, me 64 për qind, ndërsa pjesëmarrje më të ulët kryesisht në komunat e banuara me popullatë shqiptare, në pjesë perëndimore të Maqedonisë së Veriut.

16:12

31.80 për qind të qytetarëve kanë votuar deri në ora 15:00 në Maqedoni

Komisioni Shtetërorë i Zgjedhjeve në konferencën e sotme për shtyp në ora 15:00, ka njoftuar se nga të dhënat e 2.431 vendvotimeve, respektivisht nga 69.86 për qind e vendvotimeve, deri në ora 15:00 kanë votuar gjithsej 403.715 qytetarë, gjegjësisht 31,80 për qind.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2021 marrin pjesë gjithsej 10.731 kandidatë nga 31 parti politike dhe lista të ndryshme.

14:56

20.75 për qind të qytetarëve kanë votuar deri në ora 13:00 në Maqedoninë e Veriut

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror për Zgjedhje , deri në ora 13:00 kanë votuar gjithsej 294.048 votues ose 20.75 për qind në Maqedoninë e Veriut.

Pjesëmarrje më të madhe ka në Novaci me 43.70 për qind, ndërsa më pak ka në Likovë ku kanë votuar vetëm 11.65 për qind e qytetarëve.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2021 marrin pjesë gjithsej 10.731 kandidatë nga 31 parti politike dhe lista të ndryshme.

06:57

Maqedonia e Veriut sot mban zgjedhjet komunale

Maqedonia e Veriut sot i mban zgjedhjet komunale, në të njëjtën ditë siç po zhvillohen në Kosovë.

Janë zgjedhjet e shtata komunale në Maqedoninë e Veriut.

Të shtunën kanë votuar të burgosurit dhe të infektuarit me COVID-19 që ndodheshin në izolim.

Anëtarët e këshillit zgjedhor të shtunën kishin për detyrë të vizitonin 7,921 persona në të gjithë vendin të cilët janë të sëmurë dhe të pafuqishëm.

Ndërsa mjekët, që janë një komision zgjedhor special për pacientët me Covid, vizituan 476 pacientë të infektuar në shtëpi, që ata ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Në komunën e Çairit, sot votuan 21 persona të pafuqishëm, si dhe nëntë të infektuar, ose të izoluar për shkak të Covid -19.