Botë

Ikja e populistit çek, udhëpërshkrim për rrëzimin e të fortëve të Evropës

Një numër i madh i partive në Republikën Çeke u bënë bashkë pavarësisht dallimeve të ndërmjetme, vetëm për një qëllim: rrëzimin nga pushteti të Andrej Babisit, kryeministër populist. Tani edhe partitë opozitare në Hungari po shpresojnë ta bëjnë të njëjtën kundër Viktor Orbanit

Marie Malenova, pensioniste çeke në fshatin e vogël në jug të Moravias, nuk kishte votuar që prej 1989-s, viti kur shteti i saj organizoi zgjedhjet e para të lira pas më se katër dekadash nën regjimin komunist.

Të premten që shkoi vendosi që të votonte përsëri. Kjo ishte aq gjë e pazakontë saqë familja e saj e shënoi me fotografi, duke e shkrepur teksa lëshonte fletën e votimit në kutinë e madhe të sallës së fshatit.

Kur foli për gazetën “New York Times” tha se nuk i ka pëlqyer për kë ka votuar. E kishte votuar për koalicionin e partive të ndara të qendrës së djathtë. I quajti “dreqër të vegjël në mesin e shumë hajnave”. Ama ata kishin një mesazh të thjeshtë dhe të qartë: Mund të mposhtim Andrej Babisin, kryeministër populist e miliarder i Republikës Çeke.

“Doja ndryshim”, thotë Malenova për gazetën. “Doja diçka që do ta rrëzonte Babisin”.

Jehona e një suksesi

Në dhjetë vjetët e fundit, populistët si Babisi ishin të padukshëm politikisht, por morën fuqi në Evropën Qendrore dhe atë Lindore, si pjesë e trendit botëror të ngritjes së liderëve të fuqishëm që sfidonin normat demokratike. Mirëpo të shtunën, ai që dukej të ishte i pamposhtur, e pësoi ngase partitë opozitare lanë anash dallimet ideologjike dhe u bënë bashkë për të larguar liderin, të cilin e shihnin si njeriun që e kishte rrënuar përtokë demokracinë e shtetit.

Suksesi i tyre mund të bëjë jehonë në rajon dhe përtej.

Në Hungari dhe Poloni, liderët nacionalistë kanë dëmtuar institucionet demokratike dhe po kërcënojnë edhe Bashkimin Evropian. Liderët opozitarë në këto dy shtete, sipas “New York Timesit”, janë mobilizuar për të krijuar një front unik dhe të largojnë nga pushteti liderët populistë gjatë zgjedhjeve të ardhshme.

“Populizmi mund të mposhtet”, thotë Otto Eibl, shef i departamentit të shkencave politike në Universitetin Masaryk në Brno, kryeqytetin e Moravian Jugore. “Hapi i parë në mposhtjen e liderit populist është shtypja e egos individuale dhe kompromisi për sjelljen e ndryshimit”, shton ai për “New York Times”.

Përballja më e madhe mund të jetë në Hungari. Në shtetin lindor të Evropës, kryeministri Viktor Orban ka promovuar veten si rojtarin e standardeve të Evropës për “demokracinë joliberale”, teksa partia e tij Fidesz ka zhveshur demokracinë, duke shtypur median e pavarur dhe gjyqësorin.

Orbani ka mbajtur pozicione të krahut të djathtë – përfshirë armiqësinë ndaj refugjatëve, Bashkimit Evropian dhe komunitetit LGBTQ. Lëvizjet e tija politike janë imituar nga aleatët e tij në Poloninë që qeveriset nga partia e Ligjit dhe Drejtësisë.

Në vitet e fundit, bajraktarët e demokracisë liberale kanë pasur qëndrime të turbullta në tentimet e tyre për t’u kthyer në pushtet kundër liderëve nacionalistë, mjeshtër të ngjalljes së frikës dhe prezantimit të vetes si shpëtimtarë, shkruan “New York Times”.

Të përballur para makinerive mirë të financuara si partia e Orbanit apo e Babisit, forcat opozitare kanë qenë të shkapërderdhura – deri më tani.

Këtë fundjavë, gjashtë partitë hungareze do të garojnë mes vete, të parat e këtij lloji, për të gjetur një listë të kandidatëve në çdo zonë elektorale. Qëllimi kryesor është kundërshtimi i partisë së Orbanit. Koalicioni përfshin grupe prej konservatorëve nacionalistë e deri te të majtët, të cilët kanë mospajtime për shumë çështje, por kanë të njëjtën dëshirë: rrëzimin e Orbanit.

Në Poloni, Donald Tusk, ish-kryeministër dhe president i Komisionit Evropian, në verë është kthyer në shtetin e tij për t’i prirë partisë kryesore të opozitës dhe njerëzve që nuk votojnë. Synon të joshë përkrahjen e grupeve me bollëk që kundërshtojnë pushtetin.

Jehona për unitet opozitar është dëgjuar edhe në Rusi. Zgjedhjet parlamentare të muajit shtator nuk ishin të lira, as fer. Aleatët e kryeopozitarit të burgosur Alexei Navalny kanë tentuar të joshin votuesit prapa secilit kandidat me emrin e një fitoreje të vetme dhe të prishin folenë e pushtetit të Vladimir Putinit.

“Nuk funksionoi – pjesërisht për shkak se kandidatët e rëndësishëm opozitarë u lanë jashtë listave, por edhe për shkak se qeveria e Putinit u bëri presion kompanive që të bllokojnë aplikacionin e votimeve të mençura, të cilin opozita po e përdorte për të koordinuar fushatën”, shkruan NYT.

Sikurse Putini, edhe liderët e tjerë populistë të Evropës pretendojnë se po mbrojnë vlerat tradicionale të të krishterëve kundër liberalëve dekadentë, mirëpo për dallim prej Putinit, ata duhet të organizojnë zgjedhje. Deri në ditët e fundit, pushteti ndihmohej me faktin se partitë opozitare ndajnë votat. Që do të thotë se pak prej këtyre partive do të kenë shansin të mposhtin partitë qeveritare fort të organizuara.

Kontrolli mbi mediat

Partitë e pushtetit kanë marrë kontroll të madh të mediave në shtetet e tyre. Në Republikën Çeke, Babisi është pronar i kompanisë së mediave, që ka në përbërje gazeta, portale dhe media të tjera. Në Hungari, Orbani e ka shfrytëzuar televizionin shtetëror dhe krejt mediat private janë nën kontrollin e besnikëve dhe miqve të tij.

Peter Kreko, drejtor i “Political Capital”, grup hulumtues me seli në Budapest, e përshkruan Hungarinë si “shtetin më të kapur me ambientin më të centralizuar mediatik” në Evropë. Mirëpo shton se mobilizimi i ri politik nga partitë opozitare mund të ndryshojë dinamikën politike.

“Kanë një mesazh të mirë: Nëse luftoni kundër populistëve, gjërat mund të jenë ndryshe”, thotë Kreko për NYT.

Në zgjedhjet çeke, kjo ishte tema kryesore. Teksa Babisi është parë si më pak ekstrem sesa Orbani, ai izoloi shumë njerëz në vend.

Marie Jilkova, kandidatja e suksesshme anti-Babis në Moravian Jugore, nga radhët e një prej dy koalicioneve të partive që u bën bashkë kundër kryeministrit, thotë se bashkimi për të konfrontuar Babisin dhe partinë e tij “për ne ishte e vetmja mënyrë për të mbijetuar – nuk kishte tjetër alternativë”.

Partia e saj kristiandemokrate ka dallime me partitë e tjera për çështjet si aborti dhe martesat e së njëjtës gjini, por thotë se “u pajtua se nuk do të flisnim për këto tema gjatë fushatës”.

Të përballur me bllokun e unifikuar të opozitarëve të qendrës së djathtë, Babisi dhe partia e tij Ano anuan kah e djathta, duke bërë fushatë kundër refugjatëve dhe BE-së. E ftoi në fushatën e vet edhe Orbanin.

Qëkur ia mësyu politikës para dhjetë vjetësh, NYT-i kujton se Babisi vazhdimisht është përballur me pyetjet për aferat e tij financiare dhe të kompanisë gjigante “Agrofert”. Një javë para zgjedhjeve dolën në pah dokumente si pjesë e projektit “Pandora Papers”, që tregonin se si nxori 20 milionë dollarë nga kompanitë fantome në vitin 2009 për të blerë prona në Francë.

Ekspertët nuk pajtohen nëse ky skandal pati efekt në garë, por publikimi shkundi Babisin.

“Ai me ngulm tentoi të gjente gjëra për t’i frikësuar njerëzit dhe për t’i bindur se shpëtimtari i tyre është ai”, thotë Jilkova në një intervistë në Brno. “Fatmirësisht nuk funksionoi”.

Petr Jerousek, pronar i verarisë dhe një pubi në Rozdrojovice, thotë se myshterinjtë nuk flisnin për politikën, por u përballën me zgjedhjen mes Babisit dhe kundërshtarëve të tij. “Shpesh ishin shumë të gëzuar në muhabetet që bënin”.

Jerousek ishte fort i kënaqur me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. “Njerëzit më në fund i hapën sytë. U kishte ardhur te hunda”, thotë ai.

Petr Stransky, ish-polic që tani drejton autobusin e komunës, ishte i pakënaqur.

“Nuk më pëlqen kaosi dhe dua që të ketë rregull në shoqëri”, thotë ai, duke nëmur humbjen e Babisit ndaj, siç e quan, grup i padrejtë i partive opozitare. “Kur rriheshim si fëmijë në oborrin e shkollës përleshja ishte gjithmonë një me një. Pesë fëmijë kundër njërit ishte e poshtër. Dihej se kush do të fitonte. Këto zgjedhje ishin të tilla. Nuk janë fer”.

Kryetari i katundit, Daniel Strasky, ani pse donte të shihte largimin e Babisit nga pushteti, nuk votoi, sepse kundërshtoi aleancën mes partisë së vet që përfaqëson kryetarët e komunave, me Piratët, grup me votues të rinj. Mirëpo shton se martesa pa dashuri ishte e vlefshme, ngase ndihmoi në mposhtjen e Babisit.

Strasky thotë se nuk i pëlqejnë fare qëndrimet e kryeministrit kundër refugjatëve, veçmas pasi që një familje nga Vietnami ishte pronare e shitores së vetme ushqimore të fshatit.

“Unë dhe të gjithë të tjerët në fshat jemi të lumtur që i kemi. Askush tjetër nuk e mban atë shitore”.

Përgatiti: Gent Mehmeti