Botë

Serbët duan shtatore të Churkinit në Srebrenicë

Descriptive Text

Gjatë jetës së tij, diplomati rus, Vitaly Churkin, shpeshherë ishte në mes të kundërthënieve të ndryshme. Por, edhe pas vdekjes, ai, po ashtu, është i përfshirë në kundërthënie.

Një grup serb në Bosnjë e ka paraqitur një kërkesë për ngritje të një monumenti në Srebrenicë të ish-ambasadorit rus në Kombet e Bashkuara, Vitaly Chuirkin, për rolin e tij para dy vjetësh, me ç’rast e bllokoi një nismë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për dënimin e masakrës që ka ndodhur këtu në vitin 1995, duke e cilësuar si gjenocid.

Grupi i qytetarëve “Alternativa Lindore” ka kërkuar nga Këshilli i qytetit të Srebrenicës, që ndodhet në Republikën Serbe, entitet me popullatë shumicë serbe në Bosnjë Hercegovinë, për leje për ngritjen e monumentit në parkun e qytetit, më 8 korrik. Kjo do të thotë, vetëm tri ditë para shënimit të 22-vjetorit të vrasjes së orkestruar të mijëra burrave dhe djemve myslimanë, transmeton rel.

​“Ne dëshirojmë të shprehim falënderim për Vitaly Churkinin për punën e tij për të paraqitur veto në rezolutën e propozuar nga Mbretëria e Bashkuar”, i tha Radios Evropa e Lirë, Vojin Pavlloviq, president i këtij asociacioni të qytetarëve.

Pak para se të përfundonte lufta në Bosnjë në periudhën 1992-1995, forcat serbe të Bosnjës depërtuan në enklavën lindore Srebrenica, që nga OKB-ja ishte shpallur “strehim i sigurt”, dhe i vranë 8 mijë burra e djem myslimanë, ndërsa kufomat e tyre i hodhën në gropa të thella.

Tribunali i Kombeve të Bashkuara për krime të luftës për ish-Jugosllavinë, pati marrë vendim se kjo masakër, që ishte vrasja më masive në Evropë prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ishte gjenocid. Këtë fjalë, serbët e Bosnjës e kontestojnë, ndërsa Serbia i shmanget në çdo mënyrë.

Britania e pati përgatitur një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për ta shënuar 20-vjetorin e masakrës. Derisa 10 prej 15 shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së votuan në favor të kësaj mase, e katër abstenuan, Rusia e kundërshtoi atë me veto, pasi ka të drejtë si anëtare e përhershme. Vetoja e Rusisë ishte parë si “goditje vdekjeprurëse” ndaj viktimave të Srebrenicës.

Bosnjë Hercegovina mbetet një shtet i ndjeshëm që varet nga ndihma e jashtme, ndërsa ekonomia e saj çalon për shkak të sistemit të ndërlikuar dhe të ngathët të ndarjes së autoritetit.

Derisa tensionet ndërmjet dy republikave përbërëse ende mbesin të larta në Bosnjë, lëvizja e Alternativës Lindore ka hasur në një valë të zemërimit.

“Ndërtimi i monumentit për Vitaly Churkinin në Srebrenicë është sikur t’ia futni gishtin në sytë e të mbijetuarve dhe të viktimave të gjenocidit, pasi ne e dimë rolin që ai e luajti”, tha Zulfo Salihoviq, anëtar i Këshillit komunal në qytetin etnikisht të përzier të Srebrenicës.

Ai shtoi se, “nëse ndërtohet monumenti, besoj se do të sjellë trazira, përçarje dhe shkatërrim të marrëdhënieve ndëretnike në Srebrenicë”.

Kryetari i qytetit të Srebrenicës, Mlladen Grujiq, tha se nuk beson se do të miratohet kërkesa për monument, pasi qyteti me legjislacion i ndalon gjërat e tilla. Por, Pavlloviq nga Alternativa Lindore thotë se ai nuk do të ndalet në përpjekjen e asociacionit për ta nderuar Churkinin dhe konsideron se monumenti nuk do t’i përkeqësojë raportet ndërmjet grupeve etnike në këtë hapësirë.

Vitaly Churkin, që vdiq nga sulmi në zemër më 20 shkurt, një ditë para se t’i mbushte 65 vjet, u bë i njohur si zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të ish-Bashkimit Sovjetik nga viti 1990 e derisa kjo superfuqi u shkatërrua, pas një viti.

Churkin pati thënë se Rusia i ka paraqitur veto rezolutës britanike, pasi ishte “konfrontuese dhe e motivuar politikisht” dhe në këtë dokument fajësoheshin vetëm serbët për mizori gjatë konfliktit.

Serbia ka pranuar se ka ndodhur “një krim i rëndë” në Srebrenicë dhe e ka miratuar një deklaratë parlamentare, me të cilën dënohet masakra, derisa synon forcimin e raporteve me perëndimin. Por, Beogradi nuk e përshkruan atë si gjenocid.