Botë

330 mijë fëmijë, viktima të abuzimit seksual nga Kisha në Francë

Një raport francez i publikuar të martën ka gjetur se rreth 330 mijë fëmijë ishin viktima të abuzimit seksual nga priftërinjtë e Kishës Katolike Franceze në 70 vjetët e fundit, në përllogaritjen e parë të vendit për fenomenin e rëndë.

Presidenti i komisionit që ngriti këtë raport, Jean-Marc Sauve, ka thënë se parashikimet, bazuar në hulumtime shkencore, përfshijnë abuzimet e kryera nga priftërinjtë dhe klerikët tjerë si dhe njerëzit jojofetarë të përfshirë në kishë.

Ai ka thënë se 80 për qind janë viktima meshkuj.

Dokumenti me 2500 faqe i përgatitur nga një komision i pavarur vjen pasi Kisha Katolike në Francë, sikur në shtete tjera, donte të përballej me sekretet që u mbuluan për kohë të gjatë.

Sipas raportit, rreth 3000 abuzues fëmijësh – prej tyre dy e treta priftërinj – kanë punuar në kishë gjatë kësaj periudhe. Sauve ka thënë se janë rreth 216 mijë njerëz të abuzuar nga priftërinjtë dhe klerikët tjerë.

Komisioni punoi për dy vjet e gjysmë, duke dëgjuar viktimat dhe dëshmitarët dhe duke studiuar arkivat e kishave, gjykatave, policisë dhe mediave që nga vitet e ’50-a. Në një linjë telefonike janë pranuar 6500 thirrje nga njerëzit që thonë se janë viktima apo që njohin viktima.

“Nëse ia shtojmë numrit 216 mijë, numrin e viktimave në misionet e Kishës, me rrogë ose vullnetarë, për shembull në edukimin fetar, në institucionet arsimore katolike apo të lëvizjeve të të rinjve, numri i viktimave shkon në 330 mijë. Mbi 34 për qind e abuzimeve në Kishën Katolike erdhën nga zyrtarët të jashtëm që kanë punuar për Kishën”, ka thënë Sauve.

Sauve ka bërë të ditur se 22 pretendime mund të ndiqen akoma nga prokuroria, ndërsa më shumë se 40 raste janë të vjetra për t’u ndjekur por përfshijnë ende abuzues që janë gjallë.