Botë

Macroni, thirrje Evropës pas marrëveshjes: “Hiq dorë nga naiviteti”

Descriptive Text

Evropa duhet të heqë dorë prej qasjes naive kur sprovohen interesat e saj dhe duhet të ndërtojë kapacitetet e veta ushtarake, ka deklaruar presidenti Emanuel Makron pas nënshkrimit të marrëveshjes me Greqinë për fregata franceze në vlerë prej tre miliardë eurosh.

Franca ishte zhytur në një krizë të pashembullt diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Australinë në fillim të muajit, për shkak të paktit trepalësh të sigurisë bërthamore, të arritur në kurriz të marrëveshjes së mëhershme ndërmjet Kamberës dhe Parisit për 12 nëndetëse konvencionale franceze.

Prishja e ujdisë nxitit tensione të larta ndërmjet Parisit dhe aleatëve perëndimorë. Dhe, Makroni ka zgjedhur që pikërisht në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes me Greqinë të flasë publikisht për këtë çështje.

Ai u ka bërë thirrjeve shteteve evropiane që të ndërtojnë kapacitetet ushtarake autonome, në kohën kur Uashingtoni ka devijuar vëmendjen kah Kina dhe Indo-Paqësori. Makroni e ka ngritur shqetësimin gjatë konferencës me kryeministrin grek, Kiriakos Mitsotakis.