Botë

Publikohen pamjet e kushteve të grave në burgun e Kabulit

Në shoqërinë konservatore të Afganistanit, gratë, qoftë nën regjimin e talebanëve apo jo, shpesh u nënshtrohen kodeve arkaike të sjelljes, që i mbajnë ato përgjegjëse për nderin e familjes.

Ato mund të vriten thjesht pse janë martuar me një burrë që e duan.

Edhe pse të ashtuquajturat “krime morale”, që përfshijnë tradhtinë apo ikjen nga shtëpia, nuk konsiderohen krime nën Kodin Penal të Afganistanit, qindra gra burgosen për krime të tilla.

Talebanët, që tashmë kanë marrë pushtetin, i kanë dërguar gratë e arrestuara në sektorin famëkeq të burgut Pul-e-Charkhi.

Agjencia “Associated Press” ka marrë qasje të rrallë për të parë situatën e grave në këtë burg.

Fillimisht porta aty është tejet e rëndë. Gjembat e rëndojnë edhe më shumë pamjen.

Megjithatë, gratë brenda lëvizin lirshëm me fëmijët e tyre.

Mujdha, që ka sjellë në jetë foshnjën e saj para 15-ditësh, ka thënë se donte të jetonte e lirë, por qe arrestuar nga talebanët bashkë me të dashurin e saj, i cili po mbahet në të njëjtin burg.

Ka thënë se familja nuk ia miratoi martesën me të dashurin dhe në vend të kësaj e martuan me një të afërm.

Mujdha iku dhe u kthye te i dashuri i saj para se familja ta kuptonte e të ankohej te talebanët. Të dy u arrestuan e më pas u dërguan në kryeqytet, Kabul.

S’e ka parë të dashurin e saj qe më shumë se tri javë, dhe ende ai s’e ka parë të bijën e vogël.

Deri tash s’është ngritur asnjë aktakuzë ndaj tyre.

“Nëse gruaja ka një burrë dhe ikën, njerëzit e raportojnë dhe ajo do të kapet”, ka thënë shefi i këtij burgu të talebanëve, Abdullah Akhund.

Kur talebanët hynë në Kabul më 15 gusht, ata zbrazën burgun me mijëra burra dhe 760 gra, e me më shumë se 100 fëmijë.

Akhundi ka thënë se 200 prej grave të liruara ishin në lidhje apo të martuara me pjesëtarë të Shtetit Islamik. Qindra luftëtarë të IS-it po ashtu u liruan në zbrazjen masive të burgut.