Botë

Me zotimin për stabilitet, SPD-ja synon aleancë trepalëshe për Gjermaninë

“Partneriteti transatlantik është thelbësor për ne në Gjermani... Andaj mund të prisni kontinuitet në këtë aspekt”, ka thënë kandidati për kancelar i SPD-së, Olaf Scholz, ndërkaq ka shtuar se shpreson për arritjen e një marrëveshjeje të koalicionit “po qe se është e mundur” deri në Kërshëndella. Tani vendimtarë për qeverinë e ardhshme gjermane janë Partia e Gjelbër dhe Demokratët e Lirë liberalë (FDP)

Socialdemokrati i Gjermanisë, Olaf Scholz, është zotuar të hënën për fuqizimin e Bashkimit Evropian dhe për ruajtjen e partneritetit transatlantik në një koalicion trepalësh, të cilin ai shpreson që ta formojë deri para Kërshëndellave për ta pasuar qeverisjen e konservatorëve të Angela Merkelit.

SPD-ja e Scholzit ka dalë fituese në zgjedhjet kombëtare të së dielës, duke u renditur para bllokut konservator, dhe synon që t’i prijë një qeverie për të parën herë që nga viti 2005 në koalicion me të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë liberalë (FDP).

Scholzi, 63-vjeçar, ka projektuar siguri kur është pyetur nëse rezultati i ngushtë zgjedhor dhe gjasat që negociatat e stërzgjatura të koalicionit e përçojnë mesazhin e jostabilitetit në Gjermani dhe te partnerët e saj evropianë.

“Gjermania përherë ka pasur qeveri të koalicionit dhe ka qenë përherë stabile”, ka thënë ai në një anglishte të rrjedhshme, i ulur përskaj një shtatoreje të Willy Brandtit, kancelarit të SPD-së nga koha e Luftës së Ftohtë që ishte nderuar me Çmimin “Nobel” për Paqe rreth nxitjes së dialogut midis Lindjes dhe Perëndimit, ka raportuar agjencia “Reuters”.

“Kontinuitet në marrëdhëniet transatlantike”

SPD-ja, partia më e vjetër e Gjermanisë, ka fituar 25.7 për qind të votave, pesë për qind të pikëve më shumë sesa në zgjedhjet federale të 2017-s, duke u renditur para bllokut konservator CDU-CSU që fitoi 24.1 për qind të mbështetjes së elektoratit, kanë treguar rezultatet e votimeve të së dielës. Të Gjelbrit kanë siguruar 14.8 për qind të votave, ndërsa FDP-ja 11.5 për qind.

Ngritja e SPD-së, sipas “Reutersit”, e shënon ringjalljen e partive të qendrës së majtë në disa pjesë të Evropës, pas zgjedhjes së demokratit Joe Biden për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 2020. Partia opozitare e qendrës së majtë në Norvegji, gjithashtu, ka dalë fituese e zgjedhjeve të këtij muaji.

Scholzi, i cili ka shërbyer si ministër i Financave në “koalicionin e madh” të Merkelit, ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga ana e tij do t’i ofrojë SHBA-së kontinuitet në marrëdhëniet transatlantike.

“Partneriteti transatlantik është thelbësor për ne në Gjermani... Andaj mund të prisni kontinuitet në këtë aspekt”, ka thënë ai, ndërkaq ka shtuar se shpreson për arritjen e një marrëveshjeje të koalicionit “po qe se është e mundur” deri në Kërshëndella.

Megjithëkëtë, rivali i tij konservator, 60-vjeçari Armin Laschet, ka theksuar se mund akoma të tentojë që ta formojë një qeveri, ani pse i ka prirë bllokut të tij CDU-CSU në rezultatet më të këqija ndonjëherë në zgjedhjet kombëtare.

Të Gjelbrit dhe FDP-ja kanë njoftuar të dielën vonë se së pari do të zhvillojnë bisedime me njëra-tjetrën për të kërkuar fusha të kompromisit, para nisjes së negociatave qoftë me SPD-në apo konservatorët.

“Pres që, gjatë disa ditëve të ardhshme, do të ketë bisedime me të gjitha partitë që janë në pozitë për ta formuar një koalicion. Do të ketë bisedime të qarta kërkimore”, ka thënë bashkëthemeluesi i të Gjelbërve, Robert Habeck, duke bërë thirrje të hënën për “diçka të re” në vend.

Negociata të gjata koalicioni

Merkeli, e cila nuk ka kërkuar një mandat të pestë si kancelare, do të mbetet ushtruese e detyrës gjatë periudhës së negociatave për koalicion që do ta përcaktojnë shtegun për të ardhmen e ekonomisë më të madhe të Evropës.

Po qe se Scholzi arrin që ta formojë një koalicion, atëherë ish-kryebashkiaku i Hamburgut do të bëhet vetëm kancelari i katërt i SPD-së që nga Lufta e Dytë Botërore dhe i pari qëkur Merkeli ka pasuar Gerhard Schroederin më 2005.

Që atëherë, Merkeli ka dominuar skenën politike evropiane, duke qeverisur gjatë kohës sa George W. Bushi ishte president i SHBA-së, Jacques Chiracu i Francës dhe Tony Blairi kryeministër i Britanisë së Madhe.

Por, aleatët e Berlinit në Evropë dhe gjetkë, sipas “Reutersit”, do të duhet që të presin për muaj të tërë para se të shohin se si Qeveria e ardhshme gjermane do të angazhohet për çështjet ndërkombëtare.

Po qe se Scholzi arrin të bëjë ujdi me të Gjelbrit dhe FDP-në, atëherë Partia e Gjelbër mund ta japë ministrin e Jashtëm, siç kishte bërë me Joschka Fischerin në aleancën e mëhershme dypartiake me SPD-në, përderisa FDP-ja ka kthyer sytë kah portofoli i Ministrisë së Financave.