Është quajtur lidere e botës së lirë kur populistët autoritar po marshonin në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, mirëpo Angela Merkel i ka dhenë fund pushtetit 16-vjeçar me trashëgimi të pashoqe si në Gjermani ashtu edhe jashtë saj.
Në zyrën ku të gjithë e thërrisnin si “kancelarja e përjetshme”, Merkel, 67-vjeçare, largohet me popullaritet të madh saqë do të fitonte edhe mandatin e saj të pestë nëse do të dëshironte të shtrinte edhe më tej pushtetin.
Mirëpo në vend të këtij plani, Merkeli vendosi të dorëzonte detyrën krejtësisht nga vendimi personal në periudhën kur një gjeneratë e re e votuesve nuk njeh tjetër person në krye të Gjermanisë.
Përkrahësit e saj kanë thënë se ajo kishte lidership stabil dhe pragmatik përgjatë disa krizave në të cilat u shfaq si figurë unifikuese.
Ndërkaq, kritikët kanë thënë se stilit të lidershipit të saj i mungonte vizioni i madh për ta përgatitur Evropën për dekadat e ardhshme.
Ajo që tashmë dihet është se po braktis një ambient të thyer politik, me pyetjen se kush do të qeverisë me Gjermaninë pas zgjedhjeve të 26 shtatorit.
Duke supozuar se do të qëndrojë si kancelare në detyrë edhe për disa javë apo muaj, varet se sa do të zgjasin bisedimet për koalicionin e ardhshëm qeverisës, Merkeli do të barazojë jetëgjatësinë si kancelare me Helmut Kohlin.
Merkeli ka shërbyer si balancim ndaj politikës së burrave nga Donald Trumpi e deri te Vladimir Putini.
Në një sondazh të ditëve të fundit, shumica e njerëzve në shtetet perëndimore janë shprehur të bindur se “Merkeli do të merrte vendimet e duhura në çështjet botërore”.
Një kimiste e rritur prapa Perdes së Hekurt, Merkeli me qëndrimin e saj gjithmonë shihej si garantuese e stabilitetit.
Merkeli ishte forcë dominuese në politikë dhe për më shumë se 16 vjet ishte fytyrë e stabilitetit të Gjermanisë. Ka shërbyer si lidere e shtetit dhe e krejt Evropës, duke e drejtuar me sukses anijen evropiane në serinë e krizave.
Nën mbikëqyrjen e saj, Gjermania u shndërrua në forcë politike dhe ekonomike në Evropë për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Problemet si ndryshimet klimatike dhe ekonomia për votuesit janë të rëndësishme, por këto probleme janë të pazgjidhura dhe është vlerësuar se Gjermania ka bërë pak punë, sidomos në betejën kundër ndryshimeve klimatike.
Mesatarja ditore e të infektuarve me koronavirus është dyfishuar në javët e fundit, ndërkaq fushata e vaksinimit në Gjermani është ngadalësuar. Mirëpo, Gjermania ka menaxhuar pandeminë më mirë sesa shtetet fqinje.
Ndërkaq teksa ngrihej në pushtet, rivalët partiakë vazhdimisht e kanë thirrur me nofkën “mumia”, disa e kanë thënë pa frikë për shkak se eliminoi politikisht të gjithë sfiduesit e saj.
Ani pse emri i saj është vënë në krye të disa posteve kyçe në Bashkimin Evropian dhe në Kombet e Bashkuara, Merkeli me vendosmëri ka thënë se do ta braktisë krejt politikën.
Në qershor, gjatë udhëtimit të saj të fundit në Washington si kancelare e Gjermanisë, është pyetur se çka pret pas largimit. Është përgjigjur që është e lehtësuar se më nuk do të marrë vazhdimisht vendime”.