Kryeministri Victor Orban i Hungarisë ka këmbëngulur vazhdimisht se “ka jetë jashtë Bashkimit Evropian”. Muajin e kaluar, në një editorial “Magyar Nemzet” - gazeta kryesore e lidhur me partinë Fidesz të Orbanit – shkroi se “është koha të flasim për Huxit” - version hungarez i Brexit-it, largimi i Britanisë nga BE-ja gjatë vitit të kaluar
Kur Hungaria dhe Polonia siguruan nga një vend në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2004, pas dekadave të dominimit komunist, qytetarët e tyre ishin të etur për standardet demokratike perëndimore dhe prosperitetin.
Megjithatë, 17 vjet më vonë, teksa BE-ja po shton përpjekjet për të frenuar prapambetjen demokratike në të dy shtetet, disa populistë të qeverive të krahut të djathtë në Hungari dhe Poloni po e krahasojnë bllokun evropian me ish-shtypësit e tyre sovjetikë dhe po flirtojnë me perspektivën e daljes nga Bashkimi Evropian
“Brukseli na dërgon sundimtarët që supozohet se do ta kthejnë rendin në Poloni dhe të na ulin neve në gjunjë”, thotë anëtari kryesor i partisë qeverisëse të Ligjit dhe Drejtësisë në Poloni, Marek Suski, duke shtuar se Polonia “do të luftojë pushtuesin nga Brukseli” ashtu siç luftoi pushtuesit e mëparshëm nazistë dhe sovjetikë.
Është e paqartë se deri në çfarë mase kjo lloj fryme përfaqëson një dëshirë të vërtetë për t’u larguar nga blloku prej 27 anëtarësh ose nëse është një taktikë negociuese për të kundërshtuar shtrëngimin e masave nga Brukseli. Të dyja vendet janë përfituesit më të mëdhenj neto të parave të BE-së dhe shumica dërrmuese e qytetarëve të tyre duan të qëndrojnë në bllokun evropian.
Përdorimi i retorikës
Megjithatë, retorika është rritur muajt e fundit, pasi BE-ja iu drejtua penalizimit financiar të anëtarëve që dështojnë në sundimin e ligjit dhe standardet e qeverisjes demokratike.
Në dhjetor, ligjvënësit e BE-së miratuan një rregullore që lidh qasjen në disa fonde të BE-së me respektimin e sundimit të ligjit. Kjo shihet si shënjestër e Hungarisë dhe Polonisë - aleatë të ngushtë politikë, të akuzuar shpesh për gërryerjen e pavarësisë gjyqësore dhe lirinë e medias dhe shtypjen e të drejtave të pakicave dhe emigrantëve.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e cilësoi të ashtuquajturin mekanizëm të sundimit të ligjit si “armë politike dhe ideologjike” e krijuar për të shantazhuar vendet, si Hungaria që refuzojnë emigracionin. Homologu i tij polak, Mateusz Morawiecki, e quajti atë “si zgjidhje të keqe që kërcënon një shpërbërje të Evropës në të ardhmen”.
Komisioni Evropian, gjithashtu, ka vonuar pagesën e dhjetëra miliarda eurove në fondet e rimëkëmbjes pas pandemisë për shqetësimet se planet e shpenzimeve të të dyja vendeve nuk mbrojnë në mënyrë adekuate kundër korrupsionit ose garantojnë pavarësinë gjyqësore.
Në një intervistë për AP-në, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ishte sfidues, duke këmbëngulur se mbajtja e fondeve të BE-së nuk do ta detyronte vendin e tij të ndryshonte kurs.
“Ne nuk do të bëjmë kompromis për këto çështje, sepse ne jemi një komb sovran. Askush, madje as Komisioni Evropian nuk duhet të na shantazhojë në lidhje me këto politika”, thotë Szijjarto.
Këtë muaj, Komisioni i BE-së e detyroi Poloninë t’i respektojë vendimet e gjykatës së lartë të Evropës, duke rekomanduar gjoba ditore në një mosmarrëveshje të gjatë mbi sistemin gjyqësor të shtetit.
Ideja “Huxit”

Kjo bëri që Ryszard Terlecki, nënkryetar i partisë qeverisëse të Polonisë, të thotë se Polonia “duhet të mendojë...sa mund të bashkëpunojmë”, me BE -në dhe të konsiderojë “zgjidhje drastike”. Terlecki më vonë tërhoqi komentet e tij.
Orban i Hungarisë ka këmbëngulur vazhdimisht se “ka jetë jashtë Bashkimit Evropian”. Muajin e kaluar, në një editorial “Magyar Nemzet”- gazeta kryesore e lidhur me partinë Fidesz të Orbanit – shkroi se “është koha të flasim për Huxit” - version hungarez i Brexit-it, largimi i Britanisë nga BE-ja gjatë vitit të kaluar.
Me ministrin e Financave, që bën thirrje se Hungaria mund të jetë më mirë jashtë BE-së, kundërshtarët e Orbanit shqetësohen se ai në fakt është duke e menduar këtë opsion.
Katalin Cseh, ligjvënëse liberale e BE-së, thotë për “Associated Press” se ishte “veprim i egër” që politikanët dhe ekspertët e lartë të Fidesz “po bënin thirrje hapur për të marrë parasysh” daljen e Hungarisë nga BE-ja.
“Ata janë gati ta shkatërrojnë arritjen më të madhe të historisë së fundit të vendit tonë”, thotë Cseh.
Mirëpo Daniel Hegedus, bashkëpunëtor për Evropën Qendrore në Fondin Gjerman Marshall, thotë se retorika hungareze mund të jetë “përdorur politikisht” për shkak të humbjes së mundshme të fondeve të BE-së.
“(Ata po thonë): ‘Nëse nuk na jep paratë, atëherë ne mund të jemi edhe më të pakëndshëm për ju’, thotë ai.
Sondazhet e fundit tregojnë se mbi 80 për qind e polakëve dhe hungarezëve duan të qëndrojnë në BE. Kjo duket se ka pasur efekt në të dy qeveritë e vendeve që po mendojnë largimin nga blloku evropian.
Në një intervistë në radio javën e kaluar, Orban tha se Hungaria “do të jetë ndër vendet e fundit në BE, nëse do të pushojë së ekzistuari”.
Jaroslaw Kaczynski, politikani më i fuqishëm i Polonisë, tha javën e kaluar se e ardhmja e vendit është në BE dhe se nuk do të ketë “asnjë Polexit”.
Analisti politik, Jacek Kucharczyk, kryetar i Institutit të Punëve Publike, qendër studimi me qendër në Varshavë, thotë se teksa partia në pushtet e Polonisë fuqizon bazën e saj nacionaliste me grindjet e saj me Brukselin, mbështetja popullore për anëtarësimin në BE kufizon mundësitë e saj.
“Rezultati është një lloj veprimi balancues”, thotë Kucharczyk. “Fjalë të ashpra për BE-në dhe mohime të menjëhershme dhe të ashpra se ata duan që Polonia të largohet nga Bashkimi Evropian”.
Nuk ka largim

Por, udhëheqësi i opozitës polake dhe ish-zyrtari i lartë i BE-së, Donald Tusk, paralajmëroi se lejimi i retorikës kundër BE-së që të dalë jashtë kontrollit mund të prekë pa dashje një proces të pandalshëm.
“Katastrofat, si për shembull, Brexiti, ose dalja e mundshme e Polonisë nga BE-ja, shumë shpesh ndodhin jo sepse dikush e ka planifikuar atë, por sepse dikush nuk ka ditur të planifikojë një alternativë të mençur”, thotë Tusk.
Me partinë e Orbanit, që përballet me zgjedhje të vështira gjatë vitit të ardhshëm dhe koalicioni qeverisës i Polonisë duke treguar rënie, betejat me BE-në mund të shërbejnë gjithashtu vetëm për qëllime politike të brendshme.
Retorika anti-BE e Hungarisë ka të ngjarë të jetë një “tullumbace provë” për të vlerësuar mbështetjen publike se sa larg qeveria mund t’i çojë konfliktet e saj me bllokun, thotë Hegedus dhe për të fituar mbështetje për partinë në pushtet para zgjedhjeve.
“Unë mendoj se ata po e inkuadrojnë të gjithë këtë çështje me shumë vetëdije në mënyrë që njerëzit ta lidhin Bashkimin Evropian me çështje mjaft të diskutueshme që po përçajnë shoqërinë hungareze”, shton ai.
Disa udhëheqës evropianë tashmë kanë mbaruar durimin me të dyja vendet.
Në korrik, Komisioni filloi veprimet ligjore kundër Polonisë dhe Hungarisë për atë që ajo e sheh si mosrespektim të të drejtave të LGBT-së.
Në qershor, pasi Hungaria miratoi një ligj që kritikët thanë se kishin në shënjestër personat LGBT, kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se Hungaria “nuk ka biznes” në BE dhe sugjeroi që Orbani aktivizon mekanizmin që nxiti Brexit-i.
Huxit do të ishte “qartë kundër vullnetit të qytetarëve hungarezë, të cilët mbeten të vendosur pro BE-së”, thotë Cseh, anëtar i Parlamentit Evropian. “Dhe ne do të luftojmë për vendin e fituar me vështirësi të vendit tonë në bashkësinë evropiane me gjithçka që kemi”.