Botë

Erdogani kthen sytë kah Putini pas zhgënjimit me Bidenin

Descriptive Text

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar të premten se bisedimet e fundit me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, kanë rezultuar me zhgënjim dhe se shteti i tij do të kërkojë raporte më të afërta me Rusinë.

Duke folur nga Stambolli, Erdogani ka thënë se ai dhe Bideni kanë dështuar të tejkalojnë dallimet që kanë, në një takim gjatë vizitës së tij në New York për Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara këtë javë.

Erdogani ka vazhduar me kritika për përkrahjen e SHBA-së dhënë militantëve kurdë në Siri, për luftën ndaj Shtetit Islamik. Ankaraja i konsideron terroristë për shkak të lidhjeve me Partinë e Punës së Kurdistanit, që ka zhvilluar kryengritje që 37 vjet kundër Turqisë. Kurdët përbëjnë një komunitet të madh në Turqi. Partia është e listuar si organizatë terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Tani Erdogani pritet të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, në Sochi, më 29 shtator, ku liderët do të diskutojnë për situatën në Siri.

Rusia është aleati më i madh i qeverisë siriane, përderisa Turqia përkrah grupet që kanë luftuar për ta rrëzuar presidentin Bashar Assad. Gjithsesi, trupat ushtarake të Rusisë dhe Turqisë kanë bashkëvepruar në Idlib dhe po kërkojnë një zgjidhje politike.

Erdogani ka thënë se do të donte të çonte në një nivel më të mirë raportet me Moskën, kur të takohet me Putinin.

Raportet mes SHBA-së dhe Turqisë tashmë janë thyer. Ato u përkeqësuan dy vjet më parë kur Ankaraja bleu një sistem të mbrojtjes raketore nga Rusia. Blerja bëri që Turqia të përjashtohet nga projekti i udhëhequr nga SHBA-ja për aeroplanët luftarakë dhe që SHBA-ja të vendoste sanksione kundër zyrtarëve turq.

Para largimit nga New Yorku të enjten, Erdogani u shpreh se “marrëdhëniet SHBA-Turqi janë të pashëndetshme”.