Duke folur për të parën herë si president i SHBA-së në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Biden është zotuar që të bashkëpunojë me aleatët gjatë asaj që e quajti “dekadë vendimtare për botën”. Toni i fjalimit përbënte kontrast dramatik prej atij të pararendësit të tij. Porse liderët botërorë u përgjigjën me skepticizëm karshi thirrjes së Bidenit për paqe, të shpalosur vetëm disa ditë pasi që u bë e ditur se SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Australia kishin negociuar në mënyrë sekrete për muaj me radhë rreth ndërtimit të një flote të re nëndetësesh me energji bërthamore
Presidenti amerikan Joe Biden ka premtuar të martën në Kombet e Bashkuara se tërheqja nga Afganistani do të jetë pikë kthese në histori, në kuadër të së cilës “lufta e pamëshirshme” do të zëvendësohet me “diplomaci të pamëshirshme”, ndërsa është zotuar për angazhim të përtërirë me OKB-në dhe me aleatët e vendit të tij.
Duke folur për të parën herë si president i SHBA-së në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Biden është zotuar njashtu që të bashkëpunojë me aleatët gjatë asaj që e quajti “dekadë vendimtare për botën”.
“Teksa qëndroj këtu sot, për të parën herë pas 20 vjetësh SHBA-ja nuk është në luftë. E kemi kthyer faqen”, ka thënë Biden. “E gjithë fuqia e pakrahasueshme, energjia, përkushtimi, vullneti dhe resurset e vendit tonë tani janë plotësisht dhe qartësisht të përqendruara në atë që ndodhet përpara nesh, e jo të asaj që ishte prapa nesh”.
Toni i fjalimit të tij përbënte kontrast dramatik prej atij të pararendësit të tij. Donald Trump nuk e kishte fshehur asnjëherë mosbesimin e tij kundruall OKB-së. Ndërkaq Bideni e quajti atë “një institucion fisnik”. Por liderët botërorë u përgjigjën me skepticizëm karshi thirrjes së Bidenit për paqe, të shpalosur vetëm disa ditë pasi që u bë e ditur se SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Australia kishin negociuar në mënyrë sekrete për muaj me radhë rreth ndërtimit të një flote të re nëndetësesh me energji bërthamore.
Fjalimi i tij ka pasuar tensionet e ngritura dhe përplasjet e thella diplomatike me Francën shkaku i këtij pakti. Biden kishte bërë fushatë me premtimin për kthimin e rolit udhëheqës të SHBA-së në skenën botërore, të cilën gjë ai e ka spikatur edhe në fjalimin e së martës.
“Besoj se duhet të punojmë bashkërisht, si asnjëherë tjetër”, ka thënë kryezoti i Shtëpisë së Bardhë.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka ngelur në hijen e krizës klimatike dhe pandemisë së koronavirusit, të cilat kanë thelluar ndasitë e botës. Biden ka bërë thirrje për bashkëpunim më të madh botëror në këto fronte, duke theksuar se “suksesi ynë është i lidhur me të tjerët që t’ia dalim mbanë”.
Duke pasur parasysh tensionet e vazhdueshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, Biden ka theksuar se vendi i tij “nuk po kërkon luftë të re të ftohtë ose një botë të ndarë”.
Por ai ka thënë se SHBA-ja “me vendosmëri do të mbrojë veten, aleatët dhe interesat tona kundër sulmit”. Ka mbrojtur edhe tërheqjen amerikane nga Afganistani, për të cilin vendim ishte kritikuar nga aleatët në SHBA dhe jashtë saj. Ka shtuar se “fuqia ushtarake duhet të jetë burimi ynë i fundit”.
Liderët botërorë që nuk kishin raporte të mira me ish-presidentin Trump shpresonin se do të kishte një Amerikë më stabile dhe më të besueshme me lidershipin e pasuesit të tij – por lëvizjet e fundit të politikës së jashtme të Bidenit kanë vënë në siklet shumë shtete aleate.
Mungesa e koordinimit amerikan gjatë tërheqjes nga Afganistani pas dy dekadash lufte habiti aleatët dhe çoi drejt evakuimit kaotik nga shumë shtete. Misioni i NATO-s në kohën e tërheqjes kishte trupa nga 36 shtete, tri të katërtat prej të cilave nuk ishin forca amerikane.
Javën e kaluar marrëveshja trepalëshe me të cilën SHBA-ja dhe Britania i ofrojnë Australisë ndërtimin e tetë nëndetëseve atomike, zemëroi Francën, që para pesë vjetësh kishte nënshkruar pakt sigurie për prodhimin e dymbëdhjetë nëndetëseve konvencionale.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, e ka përshkruar marrëveshjen si “thikë pas shpine”, dhe diplomatët më të lartë në dy shtetet janë ftuar në Paris.
Administrata e Bidenit është përballur edhe me kritika ndërkombëtare për mënyrën e menaxhimit të vaksinave kundër COVID-19 dhe kufizimeve joreciproke të udhëtimit.
Në fund të fjalimit, Biden ka premtuar se SHBA-ja do të udhëheqë.
“Ne do të udhëheqim në të gjitha sfidat e mëdha të kohës sonë, nga COVID-i deri te klima, nga dinjiteti njerëzor deri te të drejtat e njeriut, por nuk do të udhëheqim të vetëm”, është zotuar ai. “Do të udhëheqim me aleatët tanë, me të gjithë që na besojnë derisa udhëheqim”. \ AP-Guardian