Botë

Mbahet në PE ceremonia mortore në nder të Kohlit

Është mbajtur këtë të shtunë në selinë e Parlamentin Evropian në Strasburg ceremonia mortore në nder të ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, e para ceremoni shtetërore e organizuar ndonjëherë nga BE.

Në fjalën e tij, kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani është shprehur se shembulli i tij duhet të udhëheqë Evropën drejt së ardhmes, duke zgjedhur shpresën dhe mënjanimin e frikës, sikurse kërkojnë vetë qytetarët.

“Duhet të punojmë së bashku për të ripërtërirë idealin evropian. Evropa duhet të ngrejë kokën”, ka thënë Tajani, shkruan Tch.

Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë vlerësimet maksimale për paraardhësin e saj, duke e vënë theksin tek kontributi i tij për bashkimin e dy Gjermanive.

“Pa Kohlin, jeta e miliona njerëzve që deri në vitin 1990 kanë jetuar përtej murit do të ishte ndryshe, edhe e imja. Sot nuk do të isha këtu”, ka thënë Merkel.

Ndërsa ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka vlerësuar leksionin që Helmut Kohl dha në një moment kur, sipas tij, në të gjithë botën po krijoheshin identitetet e politikës.

“Kohl mendonte se në një botë të ndërlidhur, ku kufijtë janë rrjeta dhe jo mure është e rëndësishme të gjesh terren të përbashkët. Ai e adhuronte të qenurit gjerman, por ishte i vetëdijshëm se kanceret e viteve ‘900 kishin lindur nga njerëz që mendonin se dominimi ishte më i mirë se bashkëpunimi”, ka thënë Clinton.

I pranishëm në këtë ngjarje, kryeministri rus, Dmitry Medvedev, ka bërë thirrje për një bashkëpunim gjithëpërfshirës, duke theksuar se mes vendeve “ka ende kufij”.

“Sot, për shkak të kontradiktave tona nuk po e realizojmë dot idealin e Kohlit. Një BE e bashkuar, e sigurt dhe e begatë është objektivi ynë. Përgjegjësia për këtë është e liderëve evropianë”, ka thënë Medvedev.