Botë

Familja afgane në Poloni përgatiti supë me kërpudha, vdes djali 5-vjeçar

Prokuroria dhe policia në Poloni ka nisur hetimet për helmimin me kërpudha të një familjeje afgane që u evakuua nga Kabuli gjatë muajit korrik. Një fëmijë pesëvjeçar ka vdekur kur familja përgatiti supë me kërpudhat helmuese që i kishte mbledhur në pyll.

Ndërkaq, vëllai i tij 6-vjeçar ka bërë transplantimin e veshkës shkaku i helmimit, por doktorët në spitalin kryesor të fëmijëve në Poloni, kanë bërë të ditur se mbijetesa e djalit do të jetë shumë e vështirë.

Familja gjashtë-anëtarëshe dyshohet se përgatiti supë me kërpudha shumë helmuese, të cilat i gjetën në pyllin afër qendrës së karantinës në afërsi të kryeqytetit Varshavë.

Prokuroria ka intervistuar punëtorët e qendrës si pjesë e hetimeve që mund të ngritin akuza për vepër penale me arsyetimin se ekspozuan njerëzit ndaj një rreziku të madh.

Polonia evakuoi familjen në muajin korrik me kërkesë të Britanisë së Madhe.

Babai i fëmijëve të helmuar kishte punuar me britanikët në Afganistan.

Ndërsa në një incident tjetër, pesë burra afganë janë shtruar në spital nga helmimi me kërpudha. Kërpudhat me të cilat u helmuan afganët janë më vdekjeprurëset në botë.