Botë

Mafiozi japonez dënohet me varje

Një gjykatë në Japoninë jug-perëndimore ka dënuar me varje kreun e një sindikate të fuqishme kriminale.

Gjykata në qytetin e Fukuoka zbuloi se Nomura Satoru, 74-vjeç, kishte urdhëruar katër sulme, një prej të cilave rezultoi me vdekje.

Vendimi erdhi pavarësisht mungesës së provave të drejtpërdrejta kundër Nomuras, thanë mediat lokale. Ai mohoi çdo përfshirje.

Besohet se është hera e parë që një anëtar i lartë i mafisë japoneze, “yakuza”, është dënuar me vdekje.

"Unë kërkova një vendim të drejtë ... Ju do të pendoheni për këtë deri në fund të jetës tuaj," i tha Nomura gjykatësit kryesues pas dënimit të tij të martën, sipas gazetës japoneze Nishinippon Shimbun, transmeton BBC.

Nomura, i cili kryeson sindikatën Kudo-kai që vepron në Japoninë jug-perëndimore, planifikon të parashtrojë ankesë.

Megjithëse prokurorët nuk kishin prova të drejtpërdrejta që Nomura kishte urdhëruar sulme të dhunshme, ata argumentuan me sukses se komandimi i tij absolut mbi grupin do të thoshte se ai kishte përgjegjësinë përfundimtare.

Gjatë katër sulmeve midis viteve 1998 dhe 2014, një ish-shef i një kooperative peshkimi u vra dhe tre persona të tjerë, përfshirë një oficer policie, u plagosën.

Grupet “Yakuza” nuk janë të paligjshme në Japoni. Analistët thonë se bandat janë të përfshira në çdo fushë të veprimtarisë kriminale në vend, nga trafikimi i drogës dhe prostitucioni deri te manipulimi i tregut të aksioneve.