Dëshpërimi përreth aeroportit të Kabulit ka marrë të shtunën përmasa më të thella.
Me qindra e mijëra qytetarë kanë vazhduar pritjen e ethshme për jetësimin e premtimit e Washingtonit për evakuimin e sigurt të shtetasve amerikanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre afganë.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk mund ta parashikojë rezultatin e operacionit, të cilin e quajti si njërin prej misioneve më të vështira ajrore në histori.
Në një paralajmërim për sigurinë, Ambasada amerikane ka udhëzuar shtetasit e saj që të mos nisen drejt aeroportit pa udhëzime individuale nga përfaqësuesit e qeverisë.
Ndërsa turma të afganëve kanë vazhduar të mblidhen në atë që disa prej tyre e quajtën ngujim në ferr.
Një zyrtar i talebanëve ka thënë për agjencinë “Reuters” se kaosi në aeroport nuk është përgjegjësi e grupit dhe se Perëndimi duhet ta ketë një plan më të mirë evakuimi.
Shtetet evropiane kanë vazhduar, ndërkaq, largimin e qytetarëve, me ç’rast Franca ka larguar më shumë se 570, Gjermania pothuajse 2 mijë, ndërsa Italia rreth 1 mijë.
Megjithëkëtë, ngjarjet e gjashtë ditëve të pas rënies së Afganistanit në duart e talebanëve kanë shpërfaqur hezitimin e disa vendeve evropiane për hapjen karshi afganëve.
Nga frika e vërshimit nga refugjatët, Greqia ka instaluar të shtunën një mur rreth 40 kilometra të gjatë dhe një sistem të vëzhgimit në kufirin e saj me Turqinë.
Veprimi është bërë pak ditë pasi presidenti, Recep Tayyip Erdogan, në një hezitim të ngjashëm ka thënë se Turqia nuk është depo refugjatësh e Evropës.
Me gjithë kritikat për ushtrinë afgane që u dorëzua pothuajse pa rezistencë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë thirrje që fokusi i botës të kthehet kah shpëtimi i njerëzve nga Afganistani.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë krijuar për këtë shkak një task-forcë që do të shërbejë për asistimin e amerikanëve dhe afganëve që synojnë largimin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar se deri më tani të paktën 13 shtete janë pajtuar që t’i pranojnë përkohësisht afganët e rrezikuar.
Ata që duhet të presin për qartësimin e vendosjes në SHBA, ai ka thënë se do të orientohen drejt Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kanadasë, Kolumbisë, Kostarikës, Kilit, Meksikës, Polonisë, Katarit, Ruandës, Ukrainës dhe Ugandës.