Botë

Qytetarët e Haitit në pritje të ndihmës, pas tërmetit fatal

Fshati Marceline që është disa kilometra në veri të Les Cayesit, para tërmetit shkatërrues kishte dy kisha – një katolike e një baptiste – një qendër mjekësore, një shkollë dhe një qendër të komunitetit “Voodoo” , shkruan BBC.

Një rrugë e asfaltuar kalon nëpër fshat. Aty ka pemë të bananeve.

Qyteti nuk njihet tash.

Rruga deri në Marceline është e shënuar me rrëshqitje të lloçit dhe çarje të mëdha në rrugë. Shoferi ndonjëherë ngadalëson veturën në ndalesa në mënyrë që të manovrojë nëpër çarjet.

Qyteti Les Cayes është prekur më së keqi nga tërmeti 7.2 ballë Rihter më 14 gusht. Ndoshta çdo e gjashta ndërtesë u rrëzua.

Është vështirë të gjendet një shtëpi që është ende në këmbë.

Kelly Phildor një djalë 15-vjeçar ishte duke u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ai ishte plotë jetë. Nofka e tij ishte Kelly Forever, dhe ai e kishte shkruar atë mbiemër edhe në këmishë.

“Nuk e kuptova që jeta e tij do të ishte kaq e shkurtër”, thotë nëna e tij Marie Rose.

Kelly ishte zgjuar herët, ishte larguar nga shtëpia të shtunën në mëngjes. Por, kishte nevojë të mbushte celularin, kështu që u kthye.

Kur tërmeti goditi, muri u shemb mbi të. Theu dy këmbët e tij dhe kafkën. Ai nuk kishte asnjë mundësi të mbijetonte.

“Nuk e dija çfarë të bëja. Kam fanellën e tij të lidhur rreth belit për të më dhënë forcë”, thotë Marie Rose.

Niveli i shkatërrimit është vështirë të përshkruhet. Të dy kishat janë rrënuar.

Në qendrën e komunitetit “voodoo”, njerëzit po përgatiteshin për të vallëzuar, po e prisnin priftëreshën për të nisur procedurat kur goditi tërmeti.

Ndërtesa u shemb.

Fqinjtë arritën ta nxjerrin trupin e priftëreshës, por besohet ende se janë edhe 25 persona nën rrënoja.

Ajo që po pyesin të gjithë është pse nuk ka ndihmë – nuk ka ilaçe, nuk ka kërkim dhe nuk ka ekipe të kërkim-shpëtimit, nuk ka ujë e ushqim.

Margaret Maurice dhe tetë fëmijët e saj arritën t’i mbijetonin me lëndime të lehta shembjes së shtëpisë.

Image

Mirëpo, ata kanë mbetur duke kërkuar nëpër rrënoja të shtëpisë.

“A duhet të bërtasë për vëmendjen e qeverisë. A do të na lënë të gjithëve të vdesim?” ka pyetur ajo.

Ajo thotë se ka shumë pak ushqim dhe ujë dhe pak kamionë të ndihmës kanë kaluar.

Qeveria, agjencitë e ndihmës dhe komuniteti ndërkombëtar kanë premtuar ndihmë. Por, ato premtime do të thonë pak për njerëzit.

Qendra mjekësore – vendi ku njerëzit do të mund të kërkonin ndihmë – është shembur po ashtu.

Në male në këtë fshat natën bëhet ftohtë. Herë pas here po ka edhe dridhje të vogla, që po u shton stresin.

Mirëpo, me gjithë infrastrukturën e fshatit të shkatërruar, është e vështirë të shihet se si Marceline do të rikuperohet.

Haiti aktualisht është në një rrëmujë politike. Ish-presidenti është vrarë muajin e kaluar. Shteti nuk është në gjendje t’u japë fshatrave si Marceline ndihmën që ka nevojë.

Secili ka miq e anëtarë të familjes që kanë vdekur nga tërmeti, janë mbi 2000 haitianë që kanë humbur jetën.

Por tash, ekzistojnë shqetësime se mund të vdesin më tepër – jo nga tërmeti – por nga mungesa e furnizimeve bazë për të cilat po ka nevojë, e që nuk po vijnë.

Image