Korriku i sivjetmë ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë prejse ka nisur matja e temperaturave më shumë se 142 vjet më parë.
Sipas përllogaritjeve të fundit të Agjencisë kombëtare amerikane për hulumtimin e oqeaneve dhe atmosferës, gjatë korrikut, temperaturat e ajrit në hemisferën jugore kanë thyer rekordin historik 142-vjeçar, pasi si në tokë, ashtu edhe në sipërfaqen e oqeaneve, ishin për 1.68 gradë Celsius më të larta se sa mesatarja e shekullit 20.
Rekordi i sivjetmë, sipas udhëheqësve të Agjencisë, është tregues shqetësues i mënyrës destruktive se si ndryshimet klimatike kanë goditur botën.
Në fillim të kësaj jave, një raport i Kombeve të Bashkuara kishte specifikuar se ndryshimet klimatike kanë ndikim të pashembullt në planet.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i kishte cilësuar këto gjetje si alarm të kuq për njerëzimin dhe kishte bërë thirrje për veprim në shmangien e përkeqësimit të gjendjes.