Botë

Kanadezi humb apelin kundër dënimit me vdekje në Kinë

Një qytetar kanadez ka humbur apelin ndaj dënimit me vdekje në Kinë për trafikim të drogës, raporton BBC.

Gjykata ka mbajtur në fuqi dënimin ndaj Robert Lloyd Schellenbergut, pasi ka thënë se dëshmitë ndaj tij janë të “mjaftueshme”.

Schellenberg fillimisht ishte dënuar me 15 vjet burgim, por në vitin 2019 Gjykata e Apelit vendosi se dënimi është tepër i butë. Në rigjykim ai mori dënim me vdekje.

Dënimi vjen pasi marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Kinës mbesin të brishta.

Ambasadori i Kanadasë në Kinë, Dominic Barton, ka dënuar vendimin e gjykatës, duke thënë se nuk është koinçidencë që vendimi është bërë publik ndërsa po vazhdon një betejë ekstradimi në Kanada ku është përfshirë zyrtari i lartë ekzekutiv i Hua]eit, Meng Wangzhou.

Meng, vajza e themeluesit të kompanisë kineze të telekomit, aktualisht është në paraburgim në Kanada me urdhërarrest të SHBA-së.

Schellenberg ishte arrestuar në vitin 2014 dhe është akuzuar për planifikim të trafikimit të 227 kilogramëve metamfetaminë nga Kina për në Australi.

Ai mohon akuzat, dhe tha se në Kinë ishte si turist.

Në nëntor të vitit 2018, u dënua me 15 vjet burgim.