Botë

Zjarret detyrojnë evakuimin e banorëve të ishullit Evia në Greqi

Zjarret e egra po vazhdojnë të shpërthejnë në ishullin grek të Evia, duke bërë që banorët të ikin në vende të sigurta.

Më shumë se 2.000 njerëz janë evakuuar tashmë, me banorë të moshuar që u transportuan në tragete.

Zyrtarët lokalë thanë se nuk ishte dërguar ndihmë e mjaftueshme për të shuar zjarret, duke shtuar se pjesë të ishullit tashmë ishin shkatërruar.

Greqia po përjeton valën e saj më të rëndë të të nxehtit në 30 vitet e fundit, në të cilën temperaturat janë rritur në 45 gradë Celsius.

Një numër zjarresh kanë goditur vendin ditët e fundit. Një zjarr në periferinë veriore të Athinës thuhet se është shuar.

Valët e nxehtësisë si kjo po bëhen më të mundshme dhe më ekstreme për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Moti i nxehtë dhe i thatë ka të ngjarë të nxisë zjarret.

Në Evia, një ishull i madh në veri dhe lindje të Athinës, dy fronte zjarri kanë shkatërruar mijëra hektarë tokë, së bashku me një numër shtëpish dhe biznesesh.

Zjarrfikësit janë përpjekur të mbajnë larg zjarret në një numër fshatrash në ishull.