Botë

Një qytezë shkatërrohet nga zjarri në Kaliforni

Zjarri pyjor i cili ka vazhduar për rreth tri javë në shtetin amerikan të Kalifornisë, e ka shndërruar në hi një qytezë historike.

Sipas Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni, shtëpitë dhe bizneset në qytezën historike Greenville u shkatërruan plotësisht nga zjarri, i cili thuhet se është më i madhi në historinë e shtetit.

Zjarri i madh, i cili njihet si "Dixie" dhe që thuhet se ka filluar më 13-14 korrik në rajonin verior të Kalifornisë, është përhapur edhe më shumë në dy ditët e fundit edhe pse kanë kaluar tri javë dhe ka filluar të kërcënojë shumë vendbanime.

Zjarri arriti në Greenville në rajonin malor me efektin e erës së thatë që frynte me një shpejtësi prej rreth 64 kilometrash në orë. Në një kohë të shkurtër, flakët përfshinë qytezën, duke shkatërruar qindra shtëpi dhe të gjitha ndërtesat, duke përfshirë restorante, stacione karburanti, kisha, hotele dhe muze.

Doug LaMalfa, i cili përfaqëson rajonin në Kongresin Amerikan, postoi në mediat sociale: "Ne humbëm Greenvillein sonte. Nuk ka fjalë për të thënë".

Për shkak të zjarreve të tjera pyjore në rajon, shumë vendbanime u evakuuan dhe u mbyll për vizitorët Parku Kombëtar Vullkanik Lassen.