Botë

Ekstremet klimatike po e plandosin Evropën Juglindore

Kushtet ekstreme klimatike kanë goditur edhe Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Italinë, Rumaninë, Serbinë dhe Turqinë, ku flakët vdekjeprurëse kanë hyrë në ditën e tetën radhazi dhe kanë nxitur evakuimin masiv të turistëve nga resorët turistikë. Banorët në kryeqytetin grek, Athinë, janë udhëzuar që të qëndrojnë brenda shtëpive, duke i mbajtur dyert dhe dritaret mbyllur shkaku i cilësisë jo të mirë të ajrit si pasojë e zjarreve që kanë rrethuar qytetin

Vapa ekstreme dhe zjarret e furishme kanë vazhduar të mërkurën në pjesë të tëra të Evropës Juglindore, një ditë pasi që temperaturat në Greqi kanë shënuar në 47.1 gradë celsius dhe janë bërë sebep për t’u dhënë hov flakëve në zona të shumta malore.

Greqia po ballafaqohet me temperaturat më të padurueshme ndër dekada, teksa është vënë nën alarm të kuq sherri i përhapjes së zjarreve.

Kushtet ekstreme klimatike kanë goditur edhe Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Italinë, Rumaninë, Serbinë dhe Turqinë, ku flakët vdekjeprurëse kanë hyrë në ditën e tetë radhazi dhe kanë nxitur evakuimin masiv të turistëve nga resorët turistikë. Banorët në kryeqytetin grek, Athinë, janë udhëzuar që të qëndrojnë brenda shtëpive, duke i mbajtur dyert dhe dritaret mbyllur shkaku i cilësisë jo të mirë të ajrit si pasojë e zjarreve që kanë rrethuar qytetin.

Shërbimi grek i fikjes së zjarrit ka njoftuar të mërkurën se është thirrur për të intervenuar në 78 vatra të zjarreve brenda 24 orëve të fundit. Zjarri në ishullin Evia, në juglindje të Athinës, ka marrë hov, përderisa ato në Turqi janë intensifikuar si rrjedhojë e motit ekstrem veror. Në këtë shtet, së paku 8 persona kanë vdekur deri më tani nga flakët në Mugla dhe Antalya.

Vapa në rajon pason flakët shkatërrimtare të javës së shkuar në Spanjë, Greqi dhe në ishullin italian të Sardinias, si dhe përmbytjet katastrofike në Evropën Veriore, që lanë më shumë se 200 të vdekur.

Ekspertët kanë thënë se kushtet ekstreme klimatike, si përmbytjet në Gjermani, Belgjikë dhe Holandë, si dhe valët e fundit të vapës dhe zjarreve përgjatë Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë shenjë e ndikimit të ndryshimeve klimatike.

Thatësitë po bëhen gjithashtu përherë më të shpeshta dhe të rënda në Evropën Jugore, teksa autoritetet mjedisore kanë paralajmëruar se rajoni përballet me rrezikun më të madh nga ndikimi i ndryshimeve klimatike në kontinent.

“Në Turqi dhe në Italinë jugore, të dhënat tregojnë se emetimet dhe intensiteti i zjarreve po rriten me shpejtësi të madhe, dhe se vendet si Maroku, Shqipëria, Greqia, Maqedonia Veriore dhe Libani janë gjithashtu të prekura”, ka bërë të ditur Shërbimi Copernicus për Monitorime Atmosferike (CAMS), një program ky i Bashkimit Evropian. “Shtëllungat e tymit nga zjarret janë qartazi të dukshme në pamjet satelitore përgjatë Mesdheut Lindor, nga Turqia Jugore”.

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se është duke luftuar kundër kohës rreth mobilizimit të mbështetjes për operacionet e fikjes së zjarreve në vendet më të goditura. Dy aeroplanë kundër zjarrit janë dërguar të mërkurën nga Franca drejt zonave të prekura në Itali, ndërsa dy të tjerë nga Qiproja po i ndihmojnë operacionet në Greqi.

Holanda dhe Republika Çeke kanë dërguar aeroplanë në Shqipëri derisa Sllovenia ka angazhuar 45 zjarrfikës në Maqedoninë e Veriut. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shkruar në Twitter se po e ndjek situatën me shqetësim të madh.

“Solidariteti evropian është në veprim për t’i luftuar këto zjarre të tmerrshme. Jemi me ju”, ka thënë ajo.