Botë

Japonia alarmon për përhapjen e pashembullt të COVID-19

Japonia ka paralajmëruar të mërkurën se rastet e reja të infektimit me koronavirus po përhapen me shpejtësi të pashembullt, duke vënë në hije Lojërat Olimpike që po mbahen në Tokio dhe duke i shtuar dyshimet për punën e Qeverisë në luftë me pandeminë.

Ministri japonez i Shëndetësisë, Norihisa Tamura, ka thënë se varianti Delta po e nxit përhapjen e virusit “si kurrë më parë”.

Ai ndërkaq ka mbrojtur vendimin e ri të Qeverisë që pacientët me simptoma të buta të izolohen në shtëpi dhe të mos shkojnë në spital. Japonia ka shënuar rritje të theksueshme të rasteve me koronavirus, teksa vetëm në Tokio është regjistruar numër rekord prej 4 mijë e 166 rastesh të reja gjatë së mërkurës.

Japonezët kanë kundërshtuar mbajtjen e Lojërave Olimpike, ashtu që vendi ta mbante nën kontroll pandeminë dhe të vaksinonte popullsinë.

Megjithëkëtë, organizatorët e Lojërave kanë bërë të ditur se nuk ekziston kurrfarë lidhjeje midis Olimpiadës dhe shtimit të fundit të rasteve.