Botë

Erdogani në flakë sherri i zjarreve të furishme

Partitë opozitare dhe grupet mjedisore e kanë akuzuar Qeverinë se ka dështuar të blejë hidrobombardues në kohën kur ndarja e fondeve ishte kanalizuar në projekte të mëdha ndërtimi, që i konsiderojnë të dëmshme për mjedisin. Ndërkaq, me mijëra qytetarë kanë zgjedhur mediat sociale për t’i bërë thirrje Erdoganit që të japë dorëheqje, teksa të tjerët e kanë kritikuar Qeverinë e tij për mungesë të resurseve dhe për atë që e quajtën përgatitje joadekuate

Derisa ekipet e zjarrfikësve po luftojnë kundër flakëve të zjarreve që kanë hyrë në ditën e shtatë, duke djegur fshatra e pyje në jug të vendit, Qeveria e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, po përballet me kritika të ashpra, për shkak të kundërpërgjigjes së zbehtë dhe mungesës së përgatitjeve të nevojshme ndaj zjarreve.

Të përshkallëzuara edhe prej temperaturave të larta dhe erërave të fuqishme, zjarret që kanë nisur të mërkurën e kaluar u kanë marrë jetën tetë personave në Turqi. Mijëra banorë e turistë janë detyruar të zhvendosen, duke ua kthyer shpinën shtëpive dhe resorteve të përfshira nga flakët e rrufeshme.

Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se 137 vatra zjarri janë regjistruar në 30 provinca të vendit. Një zyrtar i lartë turk i pyjeve ka thënë se në mbamendjen kolektive turke nuk mbahen mend zjarre të përmasave të tilla në vend.

Zemërimi ka nisur të rritet kundër Qeverisë, e cila ka pranuar se nuk i kishte fluturaket e domosdoshme për shuarjen e zjarreve. Hidrobombarduesit ekzistues të Turqisë nuk ishin në gjendje të duhur teknike për përdorim në luftimin e zjarreve.

Partitë opozitare dhe grupet mjedisore kanë akuzuar Qeverinë se ka dështuar të blejë hidrobombardues në kohën kur ndarja e fondeve ishte kanalizuar në projekte të mëdha ndërtimi, që i konsiderojnë të dëmshme për mjedisin. Ndërkaq, me mijëra qytetarë kanë zgjedhur mediat sociale për t’i bërë thirrje Erdoganit që të japë dorëheqje, teksa të tjerët e kanë kritikuar Qeverinë e tij për mungesë të resurseve dhe për atë që e quajtën përgatitje joadekuate.

“Thënë troç, Turqia nuk është duke u menaxhuar fare”, ka thënë Kemal Kiliçdaroglu, lideri i partisë kryesore opozitare republikane të popullit (CHP). “Qeveria e pallatit (presidencial) e ka bërë vendin tonë të paaftë”, ka shtuar ai.

Qeveria e Erdoganit është përballuar edhe me akuza se e vështirësoi punën e zjarrfikësve vendorë duke e refuzuar ndihmën e shteteve perëndimore, përfshirë atë të Greqisë rivale, në fazën fillestare të përhapjes së zjarreve. Edhe Ambasada izraelite ka njoftuar të martën se Izraeli i ofroi ndihmë Turqisë, porse zyrtarët turq e refuzuan ofertën duke vlerësuar se “gjendja ishte nën kontroll”. Izraeli ende ka gatishmëri për ndihmë.

Duke iu përgjigjur kritikave se Qeveria i ka refuzuar ofertat ndërkombëtare për ndihmë, ministri i Jashtëm, Mevlut Çavushoglu, ka thënë se Turqia ka vlerësuar shumë propozime, duke i prioritizuar ofertat për aeroplanë dhe helikopterë. Ai ka thënë se disa vende, përfshirë Francën dhe Greqinë, i kanë tërhequr më pas ofertat e tyre shkaku i nevojave të brendshme dhe zjarreve në këto vende.

Aktualisht aeroplanët spanjollë e kroatë të fikjes së zjarrit u janë bashkuar operacioneve kundër flakëve në Turqi. Gjatë së martës, aktive kanë qenë nëntë vatra zjarresh të përhapura nga erërat e fuqishme, nga temperaturat mbi 40 gradë celsius dhe nga shkalla e ulët e lagështisë. Re të zeza tymi kanë kapluar zonat malore dhe pyjet afër resorteve bregdetare në Bodrum dhe Marmaris tash e disa ditë. Kryebashkiakët e këtyre dy qyteteve kanë bërë thirrje për më shumë aeroplanë, ashtu që të fuqizohen përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Vala e të nxehtit që u ka dhënë hov flakëve ka nisur disa muaj pas motit jashtëzakonisht të thatë në jugperëndim të Turqisë, kanë bërë të ditur zyrtarët e meteorologjisë në vend.

Të dhënat e Shërbimit Evropian për Informata rreth Zjarreve në Pyje kanë treguar se sivjet vendi është goditur nga trefish më shumë zjarre se zakonisht, derisa më shumë se 136 mijë hektarë tokë janë djegur. Turqia ishte paralajmëruar më shumë se një dekadë më parë se ndryshimi klimatik do të shkaktonte zjarre masive, por këto paralajmërime janë shpërfillur.