Botë

18 të vdekur kur kamioni godet punëtorët që flinin nën një autobus në Indi

Një kamion ka goditur një grup punëtorësh që flinin nën një autobus të parkuar përskaj një autostrade në veri të Indisë, duke lënë të vdekur të paktën 18 dhe të lënduar 24 persona. Policia ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur gjatë natës në Barabanki, qytet në verilindje të shtetit Uttar Pradesh.

Autoritetet njoftuan se autobusi ishte prishur gjatë udhëtimit drejt shtetit verior Bihar, duke e nxitur shoferin që ta parkonte automjetin përskaj autostradës.

Shumica e viktimave, kryesisht punëtorë që ktheheshin në shtëpi, po flinin nën autobusin dykatësh, kur kamioni u përplas drejt tij.

Shumica e udhëtarëve kishin fjetur nëpër rrugë, pasi që ishin njoftuar se autobusi do të riparohej në mëngjes. Të lënduarit në këtë aksident janë dërguar menjëherë në spital. Ndërkaq ngasësi i kamionit raportohet se ka ikur nga vendi i ngjarjes.