Botë

Pse po kërcënohet demokracia amerikane

Përpjekjet e republikanëve për t’i kufizuar të drejtat e votimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ringjallin trashëgiminë e Jim Crowit dhe rrezikojnë të ardhmen e republikës, shkruan revista britanike “New Statesman”

Çështja se kush ka të drejtën e shtetësisë dhe të pjesëmarrjes ka përcaktuar kaherë jetën e republikave të ndryshme të botës. Në Athinën antike, gratë, skllevërit, të huajt dhe kushdo nën tetëmbëdhjetë vjeç përjashtoheshin nga proceset demokratike: megjithëse nuk kishte më shumë se 260 mijë qytetarë në Athinën e vitit të katërt para erës së re, vetëm rreth dyzet mijë prej tyre kishin të drejtën e jetës qytetare aktive, shkruan Emily Tamkin që në hyrje të shkrimit “Pse po kërcënohet demokracia amerikane” në revistën “New Statesman”.

Dhe pyetja se “kush ka të drejtë?” ende ndjek historinë e republikës amerikane, dhe është një prej atyre çështjeve prej të cilave mund të varet edhe e ardhmja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, paralajmëron Tamkin. Ajo ka kujtuar se si në mbarë vendin, shtetet federale po aprovojnë ligje që ua vështirësojnë qytetarëve me ngjyrë, sidomos afro-amerikanëve, që të votojnë në zgjedhje federale, shtetërore dhe lokale. Dhe sipas një anketimit të kryer në mars nga Qendra për Drejtësi Brennan, ligjvënësit në 47 prej 50 shteteve kanë prezantuar më shumë se 300 draft-ligje për të kufizuar qasjen në votim vetëm në këtë vit. Në shtetin e Georgias, që demokratët mezi e fituan në presidencialet e vitit të kaluar, një ligj votimi prej 98 faqesh, i aprovuar nga ligjvënësit republikanë, e kodon si krim t’u ofrosh ujë njerëzve që presin të votojnë; rreshtat e pritjes zakonisht janë më të gjatë në zonat më të populluara urbane. Ligji e vështirëson edhe më shumë votimin në mungesë. Pothuajse një në katër ligje të prezantuara në shkallë vendi, ashpërsojnë kërkesat për dokumente personale gjatë procesit të votimit, shkruan revista britanike.

“Sulm ndaj lirisë”

Republikanët edhe gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, të cilat i humbën me ish-presidentin Donald Trump, kundrejt demokratit Joe Biden, kishin ngritur akuza se në disa shtete amerikane po votohet pa u respektuar kërkesat për paraqitjen e dokumenteve personale të identitetit. Dhe akuzat u ashpërsuan edhe më shumë pas humbjes së zgjedhjeve, duke pretenduar se pati edhe kurdisje. Trumpi akuzoi pa ofruar dëshmi se zgjedhjet iu vodhën, pavarësisht se iu rrëzuan akuzat edhe nga sistemi amerikan i drejtësisë.

“Për të kuptuar rrënjët e kësaj fushate republikane për të kufizuar të drejtat e votimit, atë çfarë presidenti Joe Biden e ka përshkruar si ‘sulm ndaj lirisë’, duhet t’i hidhni një sy historisë amerikane”, shkruan Tamkin.

Ajo pastaj në mënyrë kronologjike përshkruan se pas luftës civile, Shtetet e Bashkuara shtuan amendamentet 13, 14 dhe 15 në Kushtetutë, me të cilat u ndalua skllavëria dhe e konsideruan qytetar amerikan këdo që ishte lindur ose natyralizuar në Shtetet e Bashkuara. Dhe pavarësisht prej racës, çdo individi iu dha e drejta e votës.

Nga vitet 1960 deri në vitet 1960, me qëllim që të zbeheshin të mirat ekonomike që kishin arritur afro-amerikanët gjatë periudhës së restaurimit, amerikanët e bardhë zbuluan shtigje tjera për të kufizuar të drejtën e votës, shkruan Tamkin. “Këto ishin ligje ‘Jim Crow’, të cilat, pavarësisht këtyre amendamenteve kushtetuese, kodifikuan segregimin racor, sidomos në jugun amerikan”.

Legjitimimi i pabarazisë

Sipas Carol Andersonit, drejtoreshë e studimeve afro-amerikane në Universitetin Emori në Atlanta, ka ngjashmëri ndërmjet ligjeve Jim Crow dhe ligjeve të tanishme të sponsoruara nga Partia Republikane. Ajo i ka thënë “New Statesmanit” se përdorimi i gjuhës “neutrale për nga aspekti racor”, nënkupton se ligjet nuk vlerësojnë shprehimisht qëllimin për kufizimin e të drejtave të afro-amerikanëve, ose se kanë synim të kufizojnë qasjen në votim të një grupi specifik. “Por për nga formati, edhe ligjet e Jim Crow, edhe të tanishmet ndikon në mënyrë të madhe te jo të bardhët, veçanërisht te votuesit me ngjyrë”, shkruan Tamkin.

Anderson ka përshkruar “pranimin e heshtur të Gjykatës Supreme” si rrënjosje të ligjeve që sulmojnë të drejtat e votimit. “New Statesman” u bën një kronologji zhvillimeve legjislative e juridike që janë marrë me të drejtën e votës. Një shembull konkret është kushtetuta e Misisipit e vitit 1890, e cila vendosi kufizime në të drejtën e votës për çështje të tilla, si taksat e sondazhit ose testet e shkrim-leximit. Në 1898, Gjykata e Lartë vendosi se kjo shkelte ndryshimin e e amendamentit të 15-të - të drejtën e qytetarëve për të votuar pa diskriminim. Ligji u shkrua për t'u zbatuar për të gjithë, edhe pse, në të vërtetë, ai ndikoi në mënyrë disproporcionale te një grup i popullsisë. Kjo është e ngjashme me një vendim të Gjykatës së Lartë të prillit të këtij viti, kur gjykata mbështeti ligjet e votimit në Arizona, që demokratët, aktivistët dhe ekspertët politikë ngulmonin se ndikonin veçanërisht te votuesit e pakicave.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Samuel Alito, shkroi: “Fakti i thjeshtë që ekziston një farë pabarazie në ndikim nuk do të thotë domosdo se një sistem nuk është po aq i hapur ose nuk u jep të gjithëve një mundësi të barabartë për të votuar”. (Gjykata e Lartë kishte hequr tashmë Aktin e të Drejtave të Votimit në vitin 1965 në vitin 2013; shumica argumentoi se ligjvënia, e cila bëri që disa shtete të kërkonin lejen federale përpara se të zbatonin ligjet e votimit, nuk ishte më e rëndësishme.)

Sikur se Jim Crow, këto ligje mendohet se do t’i delegjitimojnë votat e jo të bardhëve.

Ndikimi i akuzave të Trumpit

Image

Ligjet me të drejtë përcaktojnë se kush ka të drejtën e pjesëmarrjes në demokracinë amerikane dhe kujt i ndalohet votimi, shkruan Tamkin. “Nuk është rastësi se këto ligje shtetesh po aprovohen pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat ish-presidenti Donald Trump pretendon se iu vodhën. Dyshimet e pavërtetuara të Trumpit për kurdisje zgjedhjesh janë përqendruar në shtete dhe qytete që kanë popullsi të mëdha afro-amerikane, si Atlanta, Detroiti dhe Filadelfia”, shkruan ajo, duke kujtuar se përkrahësit e Trumpit kur sulmuan më 6 janar ndërtesën e Capitolit, pikërisht këtë provuan të bënin: ta përmbysnin rezultatin e kutive të votimit.

Revista britanike kujton se edhe kjo mësymje kishte një precedent në historinë amerikane, duke shkruar se si një milic afro-amerikane, nga frika se fqinjët e bardhë do ta uzurponin pushtetin më 1873 pas një palë zgjedhjesh kundërthënëse në Louisiana, morën kontrollin e gjykatës. Pastaj një bandë prej 150 burrash të bardhë në Colfax vrau 60 deri në 160 afro-amerikanë.

Këto ligje të reja votimi duhet të kuptohen jo vetëm si vazhdim i historisë amerikane të skllavërisë, racizmit dhe pabarazisë, por edhe si zgjatim i zgjedhjeve të vitit 2020, shkruan Tomkin. Vënia në dyshim e rezultatit të zgjedhjeve nuk funksionoi për të krijuar pengesa për votuesit e mundshëm të Partisë Demokratike, shton ajo.

Anderson i ka lidhur ndryshimet e reja legjislative me ligjet e dikurshme që pamundësonin pjesëmarrjen e një hise të madhe të qytetarëve amerikanë në zgjedhje. “Ata nuk e kuptojnë, ose nuk e pranojnë se Jim Crow kishte shumë lidhje me ligje dhe politika që nxisnin pabarazi në kodin operues të Shteteve të Bashkuara”. Anderson mendon se ligjvënësit e shteteve federale do të duhej të shtynin fuqizimin e këtyre ligjeve që kërcënojnë të drejtën demokratike të shumë qytetarëve amerikanë.

“Në teori, Kongresi do të mund të nxirrte legjislacion për të drejtat e votimit për të mbrojtur votuesit nga ligjet diskriminuese të aprovuara në nivele shtetesh. Por këtë nuk e ka bërë, pjesërisht edhe për shkak se rregullat e Senatit kërkojnë 60 vota” për ta mundësuar këtë – dhe demokratët i kanë vetëm 50 mandate dhe të moderuarit hezitojnë t’i përkrahin. Por, debati nuk po zhvillohet vetëm për atë çfarë mund të bëjë Senati. “Lidhet me atë se çfarë vendi dëshirojmë të jemi”, shkruan Tamkin. “A do të jemi vend që ka koncept me bazë civile të pjesëmarrjes demokratike? Apo, se a do të përcaktojmë mundësinë për votim mbi baza racore? Në rast të tillë, me gjithë respektin për athinasit antikë, përnjëmend aspak vend demokratik”. \ Analizë

Përktheu: Rexhep Maloku