Botë

SHBA-ja vendos sanksione ndaj zyrtarëve kubanë për shtypjen e protestave

Qeveria amerikane ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve kubanë për të cilët thonë se kanë bërë shkelje të drejtave të njeriut gjatë shtypjes së protestave në fillim të korrikut, raporton BBC.

Ky hap nga administrata e presidentit Jope Biden vjen pas presionit të kubano-amerikanëve dhe politikanëve për të reaguar ndaj protestave anti-qeveritar.

SHBA-ja po ashtu po shikon mënyra për të mbajtur të hapur çasjen në internet në ishull.

Protestat e 11 korrikut ishin më masivet në Kubë në dekadat e fundit. Qindra janë arrestuar dhe së paku një protestues është vrarë.

Kuba ka fajësuar SHBA-në dhe sanksionet e saj ekonomike për protestat dhe për problemet e gjëra në ishull. SHBA-ja ka thënë se përkrah qytetarët kubanë që po protestojnë për të drejtat e tyre.

Protestuesit kanë thënë se janë të zemëruar me kolapsimin e ekonomisë, me mungesën e ushqimit e medikamenteve, me rritjen e çmimeve dhe po ashtu me mënyrën se si qeveria ka menaxhuar situatën me pandeminë COVID-19.

Sanksionet e vendosura të enjten shënjestrojnë ministrin e Mbrojtjes së Kubës, gjeneralin Alvaro Lopez Miera, dhe njësitin e forcës speciale të Ministrisë së Brendshme, duke bllokuar gjitha asetet në SHBA dhe transaksionet me amerikanëve.

“Ky është vetëm fillimi. SHBA-ja do të vazhdojë të sanksionojë individët për shtypjen e kubanëve”, thuhet në deklaratë të Bidenit.