Botë

Merkeli e shqetësuar me virusin, kërkon përshpejtimin e vaksinimit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se numri i rasteve të reja është duke u ngritur në shpejtësi shqetësuese dhe u ka bërë thirrje gjermanëve që të vaksinohen për t’iu kthyer normalitetit. Konferencën për media, kancelarja gjermane e shfrytëzoi për t’u bërë thirrje gjermanëve që të vaksinohen.

Mesatarja e rasteve në Gjermani ka qenë e ulët krahasuar me shtetet tjera evropiane, mirëpo nga 6 korriku është raportuar për ngritje të shpejtë të rasteve të reja. Deri më tani, 60 për qind e popullsisë gjermane është vaksinuar me së paku një dozë, por fushata e vaksinimit është ngadalësuar në javët e fundit.

Merkeli ka thënë se gjermanët e duan kthimin e realitetit, mirëpo sipas saj, për kthim në normalitet është i domosdoshëm vaksinimi. Ajo ka shtuar se çdo dozë llogaritet drejt kthimit të jetës normale për gjermanët. Sipas vlerësimeve, numri i rasteve të reja me koronavirus ka nisur të ngrihet si pasojë e lirimit të masave të udhëtimit dhe pushimeve verore në Gjermani.