Botë

Indoneziani i prekur me COVID-19 vishet si grua për të udhëtuar me aeroplan

Një indonezian i infektuar me koronavirus ka ndërmarrë një fluturim i maskuar si gruaja e tij, i veshur me burka që ia mbuloi fytyrën dhe mbajti dokument të rremë identifikues si dhe një rezultat negativ të testit PCR.

Por maskimi nuk zgjati shumë.

Policia ka thënë se një stjuardesë në bordin e avionit “Citilink” që udhëtonte nga Xhakarta për në Ternate në provincën Maluku Veriore, vuri re burrin që ndërronte rrobat në tualet, raporton AP.

"Ai bleu biletën e avionit me emrin e gruas së tij dhe solli kartën e identitetit, rezultatin e provës PCR dhe kartën e vaksinimit me emrin e gruas së tij. Të gjitha dokumentet janë nën emrin e gruas së tij”, tha policia pasi arrestoi burrin pas uljes.

Policia e çoi atë të testohej për COVID-19, i cili u kthye si pozitiv.

Burri aktualisht është vetizoluar në shtëpi dhe policia tha se hetimi do të vazhdojë.