Botë

Rruga vdekjeprurëse drejt askundit

Frika e Aliut nga uji buron nga një tragjedi personale. Dy nga miqtë e tij të ngushtë humbën jetën dhjetorin e kaluar ndërsa po kalonin lumin Drina përgjatë kufirit Bosnjë-Serbi. Të rinjtë, të moshës 18 dhe 24 vjeç, po përpiqeshin të ktheheshin rrugëve tokësore nga Bosnja në Greqi, ku shpresonin të gjenin punë dhe t'u dërgonin para familjeve të tyre në Pakistan, thotë Aliu për “Al-Jazeeran”

Disa refugjatë dhe emigrantë kanë ndarë mendjen se nuk ia vlen të rrezikohet me kalimin e kufirit. "Unë nuk do t’i kaloj lumenjtë. Jeta është gjithçka. Keni vetëm një jetë. Vetëm një mundësi”, shpjegon Aliu, pakistanezi 23-vjeçar që jeton në Miral, në kampin e refugjatëve për burra beqarë në Velika Kladusha. Ai gjithashtu ka shumë frikë nëse e tregon emrin e vërtetë në shkrimin e “Al-Jazeeras”.

Frika nga uji

Aliu ka provuar disa "lojëra"- sikurse u referohen refugjatët dhe emigrantët përpjekjeve për kalimin e kufirit - duke shpresuar të arrijë në Spanjë dhe atje të gjejë punë. Por, ai i kalon lumenjtë nëpërmjet urave të duhura, ku ai thotë se zakonisht është kapur nga policia kroate, e cila më pas e ka kthyer përsëri në Bosnjë. Në Miral, Aliu drejton një biznes jozyrtar. Ai përgatit patate të fërguara, të cilat ua shet banorëve të tjerë të kampit. Koha po kalon midis "lojërave" dhe ai është në gjendje t'ua dërgojë nga 50 deri në 100 euro çdo dy muaj nënës dhe motrës 14-vjeçare në Pakistan.

Image

Frika e Aliut nga uji buron nga një tragjedi personale. Dy nga miqtë e tij të ngushtë humbën jetën dhjetorin e kaluar ndërsa po kalonin lumin Drina përgjatë kufirit Bosnjë-Serbi. Të rinjtë, të moshës 18 dhe 24 vjeç, po përpiqeshin të ktheheshin rrugëve tokësore nga Bosnja në Greqi, ku shpresonin të gjenin punë dhe t'u dërgonin para familjeve të tyre në Pakistan, thotë Aliu për “Al-Jazeeran”.

Të dy burrat ishin përpjekur për më shumë se një vit që të arrinin në Itali në këmbë, por iu mbaruan paratë dhe u zhgënjyen nga kthimet prapa dhe shpesh të dhunshme nga policia kroate. Ata kishin udhëtuar nëpër Greqi gjatë rrugës për në Bosnjë. E kishin më të lehtë të gjenin punë atje, kryesisht duke mbledhur fruta. Aliu nuk shkoi me ta, sepse ka ndarë mendjen të arrijë në Spanjë.

Natën që miqtë e tij u fundosën, Aliu u zgjua nga një telefonatë në orët e para nga një tjetër pakistanez i cili ishte dëshmitar i ngjarjeve. "Vdiqën miqtë e tu", i tha burri. "Unë qava, duke i thënë: 'Ti po më gënjen'", kujton Aliu.

“Unë fjeta me 18-vjeçarin për një vit në të njëjtin shtrat në kampin Miral. Kemi ngrënë së bashku çdo ditë, kemi biseduar me njëri-tjetrin. Ne u lidhëm kështu", kujton Aliu, duke thënë që shoku i tij ishte" shumë i zgjuar" dhe një "person i thjeshtë, i mirë".

Zhgënjimi me institucionet

Pas vdekjeve, i njëjti burrë që i dha lajmin Aliut thirri familjet e dy burrave në Pakistan dhe u tregoi qetësisht se çfarë kishte ndodhur. I tronditur, Aliu raportoi incidentin në stafin e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), e cila drejton disa nga kampet e refugjatëve të Bosnjës, duke përfshirë Miralin dhe DRC-në, e cila gjithashtu vepron në kampin Miral.

“Për dy muaj fola me IOM-in dhe DRC-në për miqtë e mi. Po qaja kur po u tregoja. Unë ua tregova atyre fotografitë e dokumenteve të kampit të tyre, pasaportat dhe kartat e identitetit të Pakistanit”, thotë Aliu. Është normale në komunitetet e refugjatëve dhe emigrantëve që të mbajnë fotografi të dokumenteve të miqve, si dhe numrat e telefonit të familjeve të tyre, në rast se i godet një tragjedi. Por, trupat e burrave nuk u gjetën kurrë dhe Aliu është hidhëruar për mungesën e përgjigjes ndaj lutjeve të tij.

Ai e shikon përsëri procesin si "një rreth që nuk çon askund". “DRC-ja tha që ata do t'i tregonin IOM-it për burrat e vdekur. IOM-i foli me policinë. Policia foli me DRC-në. Unë u përpoqa dy muaj, por asgjë ”.

Mungesa e një baze të centralizuar të dhënash – dhe rrjedhimisht statistikash të sakta në lidhje me vdekjet e refugjatëve dhe emigrantëve në vendet e Ballkanit – e bën gjithnjë e më të vështirë të kërkosh përgjegjësi nga autoritetet.

"Të Vdekurit dhe të Zhdukurit në Ballkan”

Në Bosnjë, aktivistët lokalë të irrituar nga ky dështim institucional janë bashkuar dhe kanë formuar një grup privat në Facebook, të quajtur "Të Vdekurit dhe të Zhdukurit në Ballkan". Qëllimi i grupit është praktik: të ndajë informacione në lidhje me refugjatët dhe emigrantët e zhdukur, të ndihmojë familjet dhe miqtë të ribashkohen me të dashurit e tyre dhe të lehtësojnë riatdhesimin e trupave të atyre që humbin jetën përgjatë rrugës.

"Në një moment, familjet e njerëzve që ishin të zhdukur krijuan kontakte me vullnetarë dhe aktivistë, duke kërkuar ndihmë për të gjetur të dashurit e tyre dhe gjithashtu për transportimin e trupave", thanë administratorët e grupit në Facebook.

Grupi mësoi procedurën e gjatë të riatdhesimit për trupat e emigrantëve që kanë vdekur në udhëtimet e tyre "thjesht duke udhëtuar" dhe kanë zhvilluar një protokoll për trajtimin e këtyre rasteve; një listë të dokumenteve dhe formularëve të nevojshëm. Një përkthyes zyrtar, i akredituar nga qeveria, duhet të përkthejë certifikatat e lindjes dhe vdekjes së personit të vdekur, pasaportën dhe një dokument që vërteton shtetësinë e tyre në vendin e tyre në boshnjakisht, shpjegon protokolli. Pastaj, vullnetari duhet të koordinojë me një kompani lokale funerale, një kompani logjistike dhe ambasadën përkatëse për dokumentet e autorizimit për ta riatdhesuar kufomën.

"Riatdhesimi është një proces i ndërlikuar, burokratik", thotë Campbell nga BVMN-ja. "Është veçanërisht e vështirë të kërkosh shokët dhe të afërmit dhe sigurisht që është e vështirë të marrësh paratë që ndonjëherë duhen për ta bërë këtë”, njofton ai për “Al-Jazeeran”.

“Thirrja urgjente”

Në disa raste, ambasada përkatëse mbulon një pjesë të kostos. Pjesa tjetër bëhet barrë e familjes ose miqve të të ndjerit, të cilët në të shumtën e rasteve janë në gjendje ta përballojnë shumën. Organizatat në vendin e lindjes së personit dhe grupet lokale në Ballkan mbushin boshllëkun.

Një grup i tillë, “Udruženje Solidarnost” (Shoqata e Solidaritetit), me qendër në Bihaç, kryeqyteti i kantonit Una-Sana në Bosnjë, poston thirrje për mbledhjen e fondeve në faqen e saj publike në Facebook për të mbledhur para për riatdhesimet.

"THIRRJE URGJENTE: Duhen 3,000 KM [1.500 euro] për të transportuar një emigrant të vdekur me emrin Selman", shkruan në një postim të shtatorit 2019. 19-vjeçari nga Pakistani kishte humbur jetën pasi ishte deportuar nga Sllovenia në Bosnjë, shpjegon postimi.

“Ai u sëmur pas kthimit të tij. Kishte ethe. Pas dy ditësh të vendosjes në kamp, ​​IOM-i e shtroi në spital. Ai kishte dhimbje të tmerrshme dhe dëshmitarët thonë se bërtiste nga dhimbjet. Ai ishte aq i mërzitur saqë disa shumë njerëz nuk mund ta ndihmonin”, shkruhet në postim, duke shpjeguar se dy ditë më vonë i riu vdiq në spital në Bihaç.

"Ëndrra e tij dhe ëndrra e familjes së tij u shuan shuar përgjithmonë këtu në Bosnjë. Në vend të lajmit se ai ia doli ta realizonte qëllimin, familja mori lajmin se vdiq në rini”, shkroi grupi.

“Solidarnosti” shkroi se u ra dakord të mbulonte gjysmën e kostos totale të 3,000 eurove të riatdhesimit. Pjesa tjetër u mbulua nga ambasada e Pakistanit në Bosnjë, shkruan “Al-Jazera”.

Në një rast tjetër, “Solidarnosti” bëri thirrje për mbulimin e një pjese të faturës prej 3,500 euro për të sjellë trupin e një tjetër 19-vjeçari përsëri në Pakistan pasi ai vdiq nga meningjiti në të njëjtin spital boshnjak; përsëri, e njëjta ambasadë mbuloi pjesërisht shpenzimet.

Ambasada e Pakistanit në Bosnjë i shkroi në një e-mail “Al Jazeeras” se procesi i riatdhesimit, duke përfshirë verifikimin e kombësisë së personit, identifikimin e trupit nga familja dhe transportimin në Pakistan, bëhet "sa më shpejt të jetë e mundur" dhe se rasteve të tilla "u jepet përparësi e veçantë". Ambasada nuk komentoi rastet specifike të riatdhesimeve.

(Vijon)

Përgatiti: Rexhep Maloku