Botë

“Skuadra” majtiste sfidon Erdoganin

Një parti e re mëton të dëshmojë se politika e patrembur majtiste është mundësia e vetme për ta mposhtur presidentin e Turqisë. Megjithatë, kapërcimi i ndasive të brendshme opozitare do të jetë sfida e parë e madhe për këdo që synon t’i prijë opozitës në garën zgjedhore kundër Recep Tayyip Erdoganit. Sera Kadigil është politikane në ngritje që po shihet si prijëse e mundshme, vlerëson Selim Sazak, studiues i shkencave politike

Deri vonë, Sera Kadigil ishte një nga yjet në ngritje e partisë kryesore opozitare të qendrës së djathtë të Turqisë, Partia Popullore Republikane (CHP). Avokate e arsimuar në Mbretërinë e Bashkuar në fund të 30-ve, Kadigil bëri emër për fjalimet e pasionuara për zhvillimet ndërkombëtare në parlament, me stilin e saj në emisionet informative të mbrëmjes dhe aktivizmin për çështjet e grave. Në 2018-n, ajo madje fitoi një vend shumë të lakmuar në asamblenë e CHP-së, duke marrë më shumë vota sesa shumë veteranë të partisë, shkruan revista politike amerikane, “Foreign Policy”.

Krahasimi me progresistët amerikanë

“Kështu që erdhi si një surprizë kur Kadigil dha dorëheqjen nga CHP-ja në fund të qershorit për t'u bashkuar me Partinë e Punëtorëve të Turqisë (TIP), duke ringjallur një markë të trashëguar në politikën turke dhe duke vendosur të përsëriste me të suksesin e Syrizas të Greqisë dhe Podemosit të Spanjës”, shkruan Selim Sazak, student doktorate në shkencat politike në Universitetin Brown.

“Kadigil do të jetë zëvendësja e katërt e partisë së bashku me udhëheqësin e partisë, Erkan Bas; gazetarin investigativ, fitues i çmimeve Ahmet Sik; dhe aktorin e kthyer në politikan, Baris Atay. Thashethemet në Ankara thonë se disa ligjvënës të tjerë aktualisht janë në bisedime për të ndjekur rrugën e saj”.

Sa ishte anëtare e CHP-së, Kadigil u krahasua gjerësisht me Alexandria Ocasio-Cortez, kongresisten e njohur në Shtetet e Bashkuara. Në partinë e saj të re, Kadigil dhe shokët e saj të partisë bëjnë krahasime me grupin e përfaqësuesve të rinj, progresivë të SHBA-së, të njohur si "Skuadra". “Sidoqoftë, nëse ata kanë ndonjë shans për të ndikuar në politikën turke në të njëjtën masë, është çështje tjetër”, vlerëson Sazak.

E themeluar në 1961 nga një grup udhëheqësish sindikalë dhe, duke përfshirë në radhët e saj intelektualë të majtë, si romancieri i mirënjohur botëror, Yasar Kemal, dhe satiristi provokues, Aziz Nesin, TIP-i origjinal shënoi një fitore të befasishme në 1965 dhe siguroi 15 deputetë, duke u bërë partia e parë e krahut të majtë që hynte në parlamentin turk. Partia u tregua jetëshkurtër dhe përfundimisht u shpërbë në Partinë Komuniste të Turqisë (TKP) në 1987, nën presionin e goditjeve të policisë, përplasjeve fraksionale dhe rënies globale të së majtës. Sidoqoftë, suksesi i TIP-it la një trashëgimi të qëndrueshme në kujtesën kolektive të së majtës turke, kujton autori në “’Skuadra’ e krahut të majtë po vjen për Erdoganin”.

Gjak i ri përballë “politikës së vjetër”

“Çdo hyrje e re është një lajm interesant në politikën turke, ku komploti vazhdon të ndryshojë, por pjesa më e madhe mbetet e njëjtë. Sikur politika të ishte profesion, presidenti Recep Tayip Erdogan, partneri i tij i koalicionit, Devlet Bahceli, nga Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) dhe udhëheqësit e opozitës, Kemal Kilicdaroglu i CHP-së dhe Meral Aksener i Partisë së Mirë do të kishin arritur tashmë në pension të detyrueshëm, ndërsa bashkëdrejtuesit e Partisë Demokratike Popullore (HDP) pro-kurde, Pervin Buldan dhe Mithat Sancar do të kishin vetëm edhe disa vjet veprimtari para vetes. Përkundrazi, mosha mesatare e skuadrës TIP është vetëm 40 vjeç”.

Sazak vlerëson se Turqia qeveriset nga një grup i politikanëve të moshuar. Këtë formë madje nuk e konsideron “aksident”, por diçka “të dizajnuar”. Studiuesi i shkencave politike thotë se janë tri elemente të sistemit zgjedhor turk që vështirësojnë punën e politikanëve të rinj, që synojnë t’i rrëzojnë nëpërmjet zgjedhjeve politikanët e vjetër nga pushteti. Së pari, partitë kanë struktura që ua lejojnë liderëve të përcaktojnë rregullat e veprimit dhe kjo e vështirëson ndryshimin e lidershipit derisa kryetarët nuk tërhiqen vetë. Erdogani dhe Bahçeli kanë më shumë se dy dekada në krye të partive, derisa Kiliçdaroglu ka shtatë vjet në majën e partisë. “Në MHP, Bahçeli ka bllokuar zgjedhjet për lidership qe më shumë se dy vjet që të parandalojë sfidimin nga disidentët e udhëhequr nga Aksener, që në fund u larguan dhe themeluan partinë e tyre, Partia e Mirë”.

Pragu “i pakalueshëm” zgjedhor

Në opinionin e tij në “Foreign Policy”, Sazak thotë se Turqia “ka mbase sistemin më të padrejtë zgjedhor në botë”, duke vlerësuar gjithashtu edhe pragun prej dhjetë për qind si tepër të lartë. Kështu, duhen më shumë se pesë milionë vota që një parti turke të sigurojë mandate parlamentare. Dhe fituesi favorizohet nga sistemi për shkak se votat e partive që s’e kalojnë pragun ndahen proporcionalisht.

“Fundja, është e vështirë për partitë më të vogla që të bëhen pjesë e zgjedhjeve. Për të garuar, partia duhet të ketë zyra në më shumë se gjysmën e 81 krahinave të vendit, ose më shumë se 20 deputetë në parlament, që duhet të jenë të zgjedhur si të pavarur, ose me ndonjë parti tjetër”, shkruan Sazak, duke treguar se vetëm më 2018, Turqia legalizoi zyrtarisht formimin e blloqeve zgjedhore shumëpartiake”, që krijoi hapësirë për “rilindjen e TIP-it”.

Kadigil bëri emër si avokate mbrojtëse në disa prej rasteve të profileve të larta të figurave opozitare. Kështu, ajo zuri vend të rëndësishëm në organizatën e grave në CHP. Dhe nëse lexohet dorëheqja e Kadigilit, kuptohet se ajo e kishte të vështirë të arrinte majën e pushtetit partiak, kujton Sazak.

“Terreni politik është sfidë në vete. Elektorati turk anon djathtas, e majta është goxha e ndarë, dhe ndërtimi i infrastrukturës së partisë do të kërkonte kohë, para dhe energji që të sigurohej një vend në arenën politike”, analizon autori në shkrimin e publikuar në FP, duke paralajmëruar se përballja me Erdoganin do të jetë sprovë e madhe.

“Alternativa më e keqe”

“Nëse partia tregohet tepër agresive kundër presidentit, Erdogani do t’i demonizojë anëtarët e saj si radikalë dhe do të përdorë kompetencat presidenciale për t’i shtypur. Nëse partia tregohet më pasive, zor se do të arrijë të bëjë për vete masat e zemëruara”, thotë Sazak. “Për më tepër, TIP-i duhet të tregohet i matur të mos fragmentojë aleancën opozitare ekzistuese duke antagonizuar fraksionet e saj konservative. Renegatët e AKP-së, si Ali Babacan dhe Ahmet Davutoglu, ose politikanët nacionalistë, si Aksener, do të shihen si mbështetës të një partie komuniste”.

Këto ndasi vlerësohet se mund të dalin në sipërfaqe derisa opozita të zgjedhë kandidatin e saj kundër Erdoganit. Sipas anketimeve, Partia e Mirë e Aksenerit dhe dy kryetarët e fundit opozitarë, ai i Ankarasë, Mansur Yavas, dhe ai i Stambollit, Ekrem Imamoglu, janë figurat e vetme me mundësi për të fituar kundër Erdoganit. Dy prej tyre, Akseneri dhe Yavasi, janë nacionalistë disidentë me histori të aktivizmit antikomunist, derisa Imamoglu është pragmatist, që sikurse Erdogani ka rrënjë nga i njëjti qytet dhe u përket rrjeteve të njëjta të pushtetit, që ishte arsyeja kryesore prapa fitores së tij befasuese.

“Duke pasur parasysh demografinë, nuk duket se fraksionet majtiste opozitare mund të nxjerrin një kandidat me mundësi suksesi. Por mund të marrin mbështetje të mjaftueshme për të pasur veton de fakto mbi opozitën kolektive”.

Dhe Sazaku vlerëson se nëse opozita merr rezultate të dobëta, atëherë do të fuqizojë argumentin e Erdoganit: Pavarësisht sa i dobët që është, alternativa është edhe më e keqe. Shumëkush beson se zgjedhjet presidenciale më 2023 do të jenë mundësia e fundit për opozitën para se të kalohet në autoritarizëm. “Nëse opozita kurthohet se kush duhet të kontrollojë rrotën e parë, Turqia mund ta humbë rastin për normalitet politik“.

Përktheu: Rexhep Maloku