Botë

OKB-ja fakton abuzimin e njerëzve me prejardhje afrikane

Foto: Reuters

Komisionerja e lartë për të Drejtat e Njeriut e OKB-së, Mishell Bachelet, ka prezantuar të hënën raportin që dëshmon racizmin dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut kundër afrikanëve dhe njerëzve me prejardhje afrikane.

Ajo ka thënë se abuzimi nis qysh në fëmijërinë e hershme. Raporti ka dëshmuar abuzimet që kryhen ndaj nxënësve me prejardhje afrikane qysh në shkolla fillore. OKB-ja ka dënuar diskriminimin racor prej moshës së hershme.

Raporti i paraqitur në seancën e 47-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së në Gjenevë i është referuar edhe vdekjes së Gjorgj Fllojdit në duar të policisë amerikane dhe vrasjeve të tjera të ngjashme.

Hulumtuesit janë marrë me 190 raste të vdekjes së njerëzve me prejardhje afrikane në vende të ndryshme. Aty thuhet gjithashtu se në të shumtën e rasteve zyrtarët nuk japin llogari për abuzimet mbi baza racore.

Në raportin prej 23 faqesh janë cituar shtatë raste të vdekjeve të njerëzve me prejardhje afrikane në duar të policisë.