Botë

Johnsoni nuk do ta shkarkojë Hancockun, pavarësisht aferës me ndihmësen e vet

Kryeministri britanik Boris Johnson refuzoi të shkarkonte ministrin e Shëndetësisë, Matt Hancock, pasi i kishte pranuar kërkim-faljen e tij.

Hancock ishte në qendër të mediave në ishull ditën e premte, pasi The Sun zbuloi një foto duke u puthur me ndihmësen e vet milionere, Gina Coladangelo, në zyrat e Ministrisë. Si Hancock, ashtu edhe Coladangelo, janë të martuar.

Ministri i Shëndetësisë në reagimin e tij kërkoi falje, por nuk e përmendi në asnjë rresht gruan e tij Martha, e cila është nëna e tre fëmijëve të tij. Hancock gjithashtu nuk e mohoi aferën me Coldangelon.

Zëdhënësi zyrtar i kryeministrit ka thënë se Johnsoni tani '’e konsideroi çështjen të mbyllur'’ dhe refuzoi të përgjigjej në pyetjet nëse Hancocku theu ligjin ose kodin ministror pasi ministri i Shëndetësisë pranoi me keqardhje se theu rregullat e distancimit social.

Ndërsa Hancocku luftonte për jetën e tij politike, Laburistët dhe Liberal Demokratë e quajtën atë një 'hipokrit' i cili duhej të pushohej nga puna. Sipas tyre, ajo çka bëri Hancock nuk është shembull i mirë për qytetarët e Britanisë.

Por, pavarësisht skandalit, Hancock ende shpreson të mbijetojë në politikë: '’Unë pranoj që kam shkelur udhëzimet për distancimin social në këto rrethana. Unë i kam zhgënjyer njerëzit dhe më vjen shumë keq. Unë mbetem i përqendruar në punën për të nxjerrë vendin nga kjo pandemi dhe do të isha mirënjohës për privatësinë e familjes time për këtë çështje personale’’.

Zëdhënësi i Boris Johnson ndërkohë theksoi se kryeministri ka besim të plotë në ministrin e Shëndetësisë, pavarësisht skandalit të sotëm.