Botë

Gjendet i vdekur në qelinë e burgut në Spanjë, John McAfee

Themeluesi i ndërmarrjes së programeve antivirus, John McAfee, është gjetur i vdekur në qelinë e burgut, në Barcelonë të Spanjës, të mërkurën.

Vdekja e tij e cila dyshohet të jetë vetëvrasje, ka ndodhur vetëm pak kohë pasi Gjykata Nacionale e Spanjës ka aprovuar ekstradimin e tij për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për tu përballur me akuzat për evazion fiskal, kanë bërë të ditur mediat e huaja.

Gazeta spanjolle “El Mungo” ka raportuar e para se 75-vjeçari ka vdekur, duke u bazuar në Departamentin katalan të Drejtësisë.

Kjo gazetë ka raportuar po ashtu se stafi mjekësor i burgut është munduar që ta shpëtojë mirëpo kjo përpjekje nuk ka pasur sukses.

McAfee ishte arrestuar në tetor të vitit të kaluar në aeroportin ndërkombëtar të Barcelonës, nën akuzat për evazion fiskal. Ai është mbajtur në burg të Spanjës që nga arrestimi.

Sipas raportimeve, McAfee fitonte miliona dollarë të hyra nga promovimi i kriptovalutave, punëve konsultuese, angazhimet në të folur dhe duke shitur të drejtat e rrëfimit të tij të jetës për një dokumentar.