Botë

Të shtëna, bomba: Versionet përplasëse Britani-Rusi për tensionet në det

Britania e Madhe ka pretenduar se beson që të shtënat e shkrepura ishin pjesë e ushtrimit të paralajmëruar rus “me armë zjarri” dhe se asnjë bombë nuk është hedhur. Ndërkaq Ministria e Jashtme ruse e ka quajtur kalimin e luftanijes britanike përgjatë rajonit si një akt të “provokimit flagrant” dhe ka bërë të ditur se do ta thërrasë për konsultime ambasadorin britanik lidhur me incidentin

Rusia ka njoftuar të mërkurën se ka shkrepur të shtëna paralajmëruese dhe bomba në shtegun e një luftanijeje ruse për ta shpjerë atë nga ujërat që Moska i pretendon për të sajat në Detin e Zi, afër gadishullit të Krimesë.

Britania e Madhe ka mohuar menjëherë versionin rus për incidentin, duke pretenduar se beson që të shtënat e shkrepura ishin pjesë e ushtrimit të paralajmëruar rus “me armë zjarri” dhe se asnjë bombë nuk është hedhur. Por vendi ka konfirmuar se luftanija e saj “HMS Defender” ka lundruan përgjatë atyre që i përshkroi si ujëra që i përkasin Ukrainës.

“Anija ishte duke kryer një kalim të pafajshëm përgjatë ujërave territorialë të Ukrainës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ka bërë të ditur Ministria Britanike e Mbrojtjes, nëpërmjet një deklarate.

Ndërkaq zëdhënësi i kryeministrit, Boris Johnson, ka thënë se “është jokorrekte të thuhet se ka pasur të shtëna apo se anija po lundronte në ujërat e Rusisë”.

Ekspertët ushtarakë kanë thënë se pa marrë parasysh nëse hollësitë si ruse ashtu edhe ato britanike janë të sakta, incidenti e paraqet një përshkallëzim në konfrontimin midis Perëndimit dhe Rusisë rreth shtigjeve të kontestuara detare.

Ministria e Jashtme ruse e ka quajtur kalimin e luftanijes britanike përgjatë rajonit si një akt të “provokimit flagrant” dhe ka bërë të ditur se do ta thërrasë për konsultime ambasadorin britanik lidhur me incidentin.

Image

Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina më 2014 dhe i konsideron rajonet përreth brigjeve të gadishullit si ujëra të Rusisë. Vendet perëndimore e konsiderojnë Krimenë si pjesë të Ukrainës dhe e kundërshtojnë pretendimin rus për ujërat e saj.

“Kalim i pafajshëm” është një e drejtë ndërkombëtarisht e njohur për anijet që lundrojnë përgjatë ujërave territoriale të një vendi, në atë që nënkupton se nuk synon shkaktimin e ndonjë dëmi.

“Krejt kjo është bërë për ta testuar vendosmërinë e Rusisë rreth Krimesë”, ka thënë Mark Gray, ekspert i sigurisë detare dhe kolonel i pensionuar i flotës mbretërore detare të Britanisë së Madhe, duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters. “Pavarësisht të gjithash, përgjigjja ruse është jashtëzakonisht e fuqishme, skajshmërisht jodiplomatike dhe e pahijshme”.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka thënë se incidenti i demonstron “politikat agresive dhe provokuese” të Rusisë në Detin e Zi dhe në afërsi të Detit Azov, të cilat përbëjnë “kërcënim të vazhdueshëm për Ukrainën dhe aleatët e saj”. Nëpërmjet një postimi në Twitter, Kuleba ka bërë thirrje për bashkëpunim më të thellë midis NATO-s dhe Ukrainës në Detin e Zi.

Vendet perëndimore kanë ndërmarrë ushtrime detare këtë javë në Detin e Zi, në atë që njihet si Flladi i Detit. Disa orë para incidentit Ambasada ruse në Washington u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj që t’i pezullojnë këto stërvitje.

Luftanija britanike kishte vizituar këtë javë portin ukrainas në Odesa, ku ishte nënshkruar një marrëveshje që Britania ta ndihmojë Ukrainën në përmirësimin e flotës detare.

Ministria ruse e Mbrojtjes, e cituar nga agjencia e lajmeve Interfax, ka bërë të ditur se anija britanike ishte larguar nga ujërat ruse pak pasi që Rusia i shkrepi të shtënat paralajmëruese. Një aeroplan bombardues rus ka hedhur katër bomba të fuqishme në shtegun e saj, thuhet në njoftim.

“Anija ishte paralajmëruar se do të përdoreshin armët po qe se ajo vazhdon që ta shkelë kufirin e Federatës Ruse. Nuk i është përgjigjur paralajmërimit”, ka bërë të ditur Ministria.