Bjellorusia i ka cilësuar të martën sanksionet e vendosura nga Perëndimi, në kundërpërgjigje ndaj uljes së detyruar të një aeroplani në Minsk për arrestimin e një gazetar, si shpallje të një lufte ekonomike.
Fuqitë Perëndimore – përfshirë Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Kanadanë – e kanë goditur Bjellorusinë me një valë sanksionesh të reja, duke vënë në shënjestër zyrtarët, ligjbërësit dhe ministrat e Qeverisë së presidentit Alexander Lukashenko.
Kjo pasi që forcat ajrore të vendit kanë ndërhyrë për uljen e aeroplanit të Ryanairit që po fluturonte nga Athina për në Vilnius për kapjen e gazetarit disident, Roman Protasevich, më 23 maj.
Këtë veprim Perëndimi e kishte cilësuar si pirateri shtetërore.
Minsku zyrtar ka bërë të ditur se sanksionet do të kenë ndikim negativ për qytetarët dhe ka paralajmëruar se do të detyrohet të zbatojë masa reciprociteti, që do të ndikojnë te qytetarët dhe bizneset e shteteve perëndimore.