Kryeministri socialdemokrat i Suedisë, Stefan Lofven, ka humbur të hënën mocionin e votëbesimit, duke u bërë lideri i parë i Qeverisë që ka humbur ndonjëherë një votë të tillë.
Votimi ishte iniciuar të martën nga partia e vogël Majtiste, një aleate kjo e Qeverisë së pakicës. Nuk dihet aktualisht se çfarë do të ndodhë më pas në Suedi. Lofven ka thënë gjatë së enjten se do ta presë rezultatin e votimit dhe mandej “të mendojë se cila është mundësia më e mirë për vendin”.
Kryeministri ka theksuar po ashtu se i ka përpara vetes dy opsione: t’i thërrasë zgjedhjet e parakohshme ose ta marrë drejtimin e një Qeverie në ushtrim të detyrës. Një Qeveri e re – apo ushtruese e detyrës – do të kishte mandat vetëm deri në zgjedhjet e përgjithshme të caktuara për shtatorin e ardhshëm. Është ky rasti i parë që një kryeministër suedez është shkarkuar ndonjëherë nëpërmjet mocionit të votëbesimit, të iniciuar nga një parti opozitare.
Arsyeja e rrëzimit ishte pasi që nuk ka ndërmarrë asgjë në zbritjen e qirave në Suedi, që ishte kërkesë e majtistëve kur u futën në koalicion.
“Ajo që po bëjmë sot, nuk po e bëjmë me lehtësi. Kemi bërë çdo gjë të mundur për të zgjidhur situatën. Por asnjë tjetër nuk donte të kontribuonte në zgjidhjen”, ka thënë lideri i të majtës, Nooshi Dadgostar.
Përkundër se masat antiCOVID janë ende në fuqi në Suedi, të 349 parlamentarët u ftuan të votojnë dhe ata ishin duke mbajtur masa.
Në total 181 votuan për mocionin e mosbesimit, duke kaluar shumicën e nevojshme prej 175.
Loefven është kritikuar se nuk i është adresuar problemeve të mëdha si krimit, papunësisë dhe integrimit. Ai ishte kryeministër nga viti 2014.