Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar të enjten se pasqyrimi i presidentit amerikan, Joe Biden, nëpër mediat ruse dhe ato amerikane nuk kishte kurrfarë lidhjesh me realitetin.
Ai ka lavdëruar bashkëbiseduesin e tij amerikan për atmosferën miqësore të krijuar në samitin e së mërkurës në Gjenevë dhe ka thënë se që të dy kanë arritur mirëkuptim për shumë çështje të rëndësishme.
Duke folur gjatë një videolidhje me të diplomuarit e shkollës qeveritare për menaxhment, Putini ka theksuar se Bideni ishte shumë mirë i përgatitur për bisedime, ishte i zgjuar dhe dinte çfarë donte të arrinte.
Shefi i Kremlinit i ka hedhur poshtë me këtë rast ato që i përshkroi si përpjekje të mediave për ta pasqyruar Bidenin si të brishtë.
Takimi i parë sy më sy midis Bidenit dhe Putinit është zhvilluar në kohën e tensioneve më të larta midis dy vendeve.